Sulmi i mundshëm nga Serbia që u ndalua me një telefonatë të Trump – Osmani e konfirmon, Kurti thotë se s’ka informacione: A ka komunikim institucional mes liderëve të Kosovës?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar së fundmi se ka ndërhyrë personalisht për të parandaluar një konflikt të mundshëm mes Serbisë dhe Kosovës. Në një nga paraqitjet e tij publike, Trump ka treguar se ka pasur një bisedë të drejtpërdrejtë me zyrtarë serbë, të cilët i ka paralajmëruar për pasoja…

Lajme

11/07/2025 14:12

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar së fundmi se ka ndërhyrë personalisht për të parandaluar një konflikt të mundshëm mes Serbisë dhe Kosovës.

Në një nga paraqitjet e tij publike, Trump ka treguar se ka pasur një bisedë të drejtpërdrejtë me zyrtarë serbë, të cilët i ka paralajmëruar për pasoja të ashpra në rast se do të ndërmerrnin veprime të armatosura kundër Kosovës.

Siç është shprehur vetë Trump, ai u kishte bërë të qartë autoriteteve në Beograd se SHBA-të do të ndërprisnin marrëdhëniet tregtare me Serbinë nëse do të ndodhte ndonjë sulm ndaj Kosovës. Në fjalimin e mbajtur në Dhomën Ovale, ai theksoi kishte thirrur dikë në Serbi dhe i kishte thënë që nëse tentoni diçka, do ta ndërpresim bashkëpunimin ekonomik, ishte një paralajmërim i qartë, transmeton lajmi.net.

Megjithëse deklarata e Trump nuk përmban të dhëna specifike për datën ose natyrën e saktë të këtij kërcënimi të pretenduar nga Serbia, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në mbështetje të këtyre pohimeve, duke konfirmuar se një zhvillim i tillë është real dhe i afërt në kohë.

Gjatë një diskutimi të mbajtur në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, Osmani tha se bëhej fjalë për një “shpërthim të mundshëm” që Trump e ka ndalur në kohë. “S’po flasim për vitin 2023 apo 2020. Po flasim për zhvillimet shumë të fundit,” deklaroi ajo, duke shtuar: “Presidenti Trump e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm së fundi. KFOR-i është aty dhe ne po bëjmë punë të mrekullueshme në parandalim e mbrojtje.”

Ajo theksoi se informacionet që posedon janë mjaft kredibile dhe se nuk do të dilte publikisht me këtë qëndrim pa pasur fakte konkrete. “Unë e di çfarë po flasë,” tha Osmani në mënyrë bindëse, duke lënë të kuptohet se kërcënimi ishte real dhe ende i pranishëm.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë më i rezervuar në komentet e tij. I pyetur për deklaratat e Trump dhe rrezikun e përmendur nga Osmani, Kurti ka pranuar se institucionet e Kosovës nuk kanë qasje në të gjitha informacionet që posedojnë Shtetet e Bashkuara.

“Nuk mund t’i di planet që i kanë, nuk i kam informacionet e tyre – me siguri SHBA në përgjithësi kanë më shumë informacion se çfarë synimesh operacionale ka pasur Serbia dhe mund të kenë vepruar kundër tyre, faleminderit shumë,” tha Kurti më 2 korrik. Ai shtoi se është e pritshme që autoritetet kosovare të mos kenë të gjitha informacionet që posedojnë partnerët ndërkombëtarë, por shprehu shpresën se një ditë do të ketë më shumë qartësi.

Ndërkohë, vlen të theksohet se që nga viti 2023, dialogu ndërmjet Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq ka hyrë në një fazë të thellë stanjacioni. Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian nuk kanë prodhuar ndonjë përparim konkret, duke lënë marrëdhëniet Kosovë-Serbi në një gjendje status quo.

Kjo situatë e tensionuar mori një kthesë serioze më 24 shtator 2023, kur ndodhi sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit. Një grup paramilitarësh serbë, të lidhur me struktura të sigurisë së vjetra dhe me ndikim nga Beogradi, sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter dhe duke shkaktuar tronditje në opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar.

Ky sulm, i cilësuar nga autoritetet në Prishtinë si akt terrorist, u pa si dëshmi e qartë e qëllimeve destabilizuese të Serbisë në veri të Kosovës. Pas ngjarjes në Banjskë, retorika e kryeministrit Kurti ndaj Serbisë u ashpërsua edhe më shumë, ndërsa përfaqësuesit ndërkombëtarë e dënuan me forcë aktin, duke kërkuar hetime të pavarura dhe përgjegjësi penale për organizatorët.

Në këtë kontekst të tensionuar politik e diplomatik, deklaratat e Donald Trump kanë risjellë në vëmendje rrezikun e përshkallëzimit të situatës dhe rolin që SHBA-të vazhdojnë të luajnë si faktor kyç për sigurinë dhe paqen në rajon. Për Kosovën, mbështetja amerikane vazhdon të jetë jetike, sidomos në kohë kur rreziqet nuk janë vetëm retorike, por shpeshherë marrin trajtën e sulmeve të armatosura dhe përpjekjeve për destabilizim./lajmi.net/