Stavileci: Prioritet i ministrisë, të sigurohet sasi e mjaftueshme e rrymës

Projekti i Termocentrali (PTC),“Kosova e RE”, është investim prej një miliard euro, i cili do të mundësojë të prodhohen 500 MË energji elektrike, tha  ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Blerand Stavileci, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Lajme

01/12/2015 16:04

Gjatë raportimit të tij lidhur ecurinë e realizimit të këtij projekti, ministri i Stavileci po ashtu njoftoi se ky projekt mbështetet edhe nga Banka Botërore (BB), e cila do të jetë edhe garantuese e projektit.

Ministri Stavileci, po ashtu vuri në pah edhe sfidat që kanë hasur në realizimin e marrëveshjes për ndërtimin e  TC ” Kosova e Re”, ndërkaq, u shpreh se prioritet i tyre ka qenë që të  sigurohet sasi e mjaftueshme e energjisë elektrike, me një çmim të përballueshëm për qytetarët.

Ndër përfitimet e tjera që sjell ndërtimi i këtij termocentrali, ministri vuri në dukje edhe numrin prej 10 mijë punëtorëve gjatë fazës së ndërtimit, e cila është parashikuar që të zgjasë deri në vitin 2021.

Kryetari i Komisionit, Muhamet Mustafa, kujtoi se përpjekjet për realizimin  e këtij termocentrali janë më se 10- vjeçare.

Në këtë mbledhje, komisioni ka miratuar edhe raportet me rekomandime të tri projektligjeve: Projektligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Projektligjit për Dizajnin Industrial dhe të Projektligjit për treguesit gjeografik dhe emërtimet e origjinës.

Në fund, të këtij takimi, ndërkaq, si pikë e re e rendit të ditës është futur edhe  Propozim-vendimi i Qeverisë, lidhur më emërimin e anëtareve të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Anëtarët e komisionit, pasi  shqyrtuan listën e kandidateve të propozuar nga  Qeveria për anëtarë të Bordit të AKP-së, vendosën që Kuvendit, t’ia  paraqet këtë rekomandim: të propozuarit e Qeverisë: Petrit Gashi, kryesues, Hasime Mazreku, Hamdi Jaha, Skënder Komoni, Ismail Januzi, Haxhi Arifi, Ranko Djokiç dhe Bajram Zejnullahu,  të emërohen anëtarë të AKP./lajmi.net