Statusi: Recycle Bin

Në gjuhën e teknologjisë: si politikë, si shoqëri, jemi në atë formatin analog, të stërvjetëruar. Na duhet një politikë dhe një shoqëri HD për fillim, për të dalë pastaj në 3D.

ShowBiz

28/12/2013 06:15

Ese Politik: Ballafaqimi me vetveten  (7)

 

Kurrë mos e shkatërro kategorinë a gjininë.

Bëj çka të duash, kritiko kah të mbërrish, kërko më shumë, por mos ia mësyj prishjes së llojit: Sepse e shkatërron vetveten.

Ky është shkaku kryesor pse kurrë në Amerikë nuk mund të shohësh luftën e mirëfilltë midis Coca Cola’s dhe Pepsi Cola’s, midis McDonalds’it dhe Burger King’ut, midis firmave të afërta në të njëjtën garë.

Emri i lojës është: Unë jam më i miri. E jo: Ai është më i keqi.

Dihet pse: Po që se gara zhvillohet në terrenin e të keqes, e nëse gjërat në Amerikë dhe në Perëndim maten me nuanca, atëherë shumë shpejt do të nxirrej konkludimi që nëse një “Cola” është e keqe, nëse një “Burger” është problematik – i gjithë soji është i tillë.

Prishet loja. Rrënohet tregu. Mbyllen firmat. Kërcënohet konsumi në tërësi.

Është një sistem i ndërtuar në trajtë zinxhirore. Nëse bie njëri, bien shumë; mund të bien madje të gjithë. Një gjë e tillë u pa edhe me krizën e sistemit bankar në Amerikë, në verën e vonë të vitit 2008.

Te ne, këndejpari, për shkaqe të nduarnduarta, nuk kemi fast food as të McDonalds’it, dhe as të Burger King’ut. Por, e kemi fenomenin tjetër, që do ta mund ta klasifikonim si: Fast Futë.

Shpejt Futë. Me të shpejtë, më shpejt mbase nuk ka ku të shkojë, politika kosovare, nga brenda gjithsesi, me të gjitha forcat që posedon të shtrira në partitë politike parlamentare dhe jashtëparlamentare, qeveritare dhe opozitare, por edhe nga jashtë, përmes OJQ’ve të ndryshme – ia ka mësyrë ta shkatërrojë kategorinë e politikës kosovare. Ta rrënojë vetveten.

Gjithçka do të ishte më lehtë, shumë më lehtë madje, sikur një shoqëri të mund të ekzistonte pa politikë. Por, pa ujë e pa bukë, siç e dinë McDonalds’i dhe Cola – nuk jetohet dot. E kështu është puna edhe me politikë. Njeriu është kafshë politike, na pati çuar porosi qëmoti Aristoteli. Pa politikë, njeriu bëhet kafshë klasike. Kemi mësuar të gjithë nga pak, në historinë e moçme dhe të re të njerëzimit. Për më shumë, Kosova ka arritur që të bëhet shtet, dhe këtu, ndër ne, politika ka një rol edhe më të veçantë. Po i njëjti cilësim del kur dihet që jemi të orientuar për ta bërë Kosovën shoqëri të demokracisë liberale.

Ron English – Super Supper

 

Nuk bën, pra, pa politikë, me gjithë përpjekjet e shumta për ta dëshmuar të kundërtën në Kosovën e viteve të fundit. Si demokraci, nuk bën dot pa votën e lirë të qytetarëve. Edhe pse në Kosovë e kemi përbuzë dhe shkelë vullnetin e qytetarëve.

Nuk ka politikë pa politikanë, pa parti politike. Nuk ka demokraci pa zgjedhje. Nuk ka Qeveri demokratike pa votë dhe pa ligje. Dhe kështu disi.

Por, me qasjen Fast Futë, ne i kemi mëdyshur të gjitha. Kemi përmbysur logjikën e demokracisë perëndimore. Tallemi në fakt, me të. Dhe këtë e bëjmë goxha suksesshëm. Për çdo ditë të lume.

A nuk është tallje, ta zëmë, deklarimi me pompozitet i thuaja të gjitha partive tona politike që ato përfaqësojnë qendrën e djathtë në skenën politike të një demokracie, edhe pse shumë prej politikanëve në Kosovë ia qëllojnë se cilën e kanë dorën e djathtë dhe cilën të majtë, por nuk dinë shumë se çka është sot, në Shekullin XXI, qendra, e majta, e djathta, në politikë.

Këtu sërish të bie në mend ajo puna e mungesës së qasjes në rrjet, e cila na karakterizon si shoqëri.

Bota po ndryshon, por tek ne arrijnë lajmet me vonesë të madhe. Ta merr mendja që në këtë tregun e lajmeve, të ideve, të mendimeve, jemi diku fare në margjina të Perëndimit, aty ku ose ndodhë reciklimi i mbeturinave, ose ato digjen për të mos u kthyer kurrë më.

Jemi, pra, Recycle Bin i Bashkëkohësisë.

Po që se këtu flasim në gjuhën e teknologjisë, ne jemi, si politikë, si shoqëri madje, në atë formatin analog, të stërvjetruar dhe të tejkaluar. Na duhet, pra, një politikë dhe një shoqëri HD për fillim, për të dalë pastaj edhe në 3D.

Për fillim, nuk duhet lexuar fare libra për të kuptuar se për çka bëhet fjalë këtu. Mjafton të shikohet seriali televiziv “West Wing”.

Thënë edhe më konkretisht, në Kosovë politika në 3D do të kishte domethënien e marrjes së njëkohshme me zhvillimin e demokracisë (dikush do të mund të thoshte, së pari, me shpëtimin e saj), me dinjitetin e njeriut në Kosovë dhe me drejtimin europian dhe perëndimor të gjithë një vendi, të gjithë një shteti.

Aktualisht, këtu nuk ka as demokraci, as dinjitet, as drejtim. Dhe këtë e dimë të gjithë. Të mos mashtrohemi.

Ka djallëzi, ka degradim, ka devalvim. Dhe atë me shumicë, në atë stilin “Gjithçka 1 Euro”, dhe me pakicë, kur bluhen milionat e buxhetit të Kosovës.

Politika e sotme në Botën demokratike, natyrisht, nuk bën dhe nuk mund të bëjë pazare me Parimet Themelore të saja që janë pjesë e Katalogut të të drejtave themelore. Por, të gjitha të tjerat shqyrtohen dhe rishqyrtohen, ndryshohen, sepse adaptimi në rrethanat e reja është çelësi i suksesit, madje edhe i mbijetesës, nëse na kujtohet ende si duhet Teoria e Evolucionit e Charles Darwin’it.

Politika sot, pra, në Perëndim, në masë të madhe është një dyzim i George Washington’it dhe Charles Darwin’it.

Kjo do të thotë që kriteri kryesor që vlen është ai i suksesit dhe ai i dështimit.

Tek ne, akoma jemi diku pesëdhjetë a njëqind vjet më parë. Kriteri kryesor është ai i patriotizmit dhe tradhtisë.

Chris Shaw – Madonna of the Television

 

Adam Michnik, një emër i njohur edhe tek ne, me një rast pati thënë që tej Perëndimit tradicional, atij që mbërriti të stabilizohej pas tronditjeve të mëdha të kumtuara në vitin 1776 në Amerikë dhe më 1789 në Francë, tek të gjitha shoqëritë tjera, duke përfshirë edhe Poloninë e tij, lufta që vazhdon ditë e natë të bëhet është ajo në mes të popullistëve dhe urbanistëve, në mes të lindorëve dhe perëndimorëve.

Edhe ndër ne përditë e kemi këtë luftë. Madje, edhe brenda vetes, secili prej nesh, duhet pranuar këtë fakt. Janë të përziera në ne epoka të ndryshme që kurrë nuk janë kryer si duhet, botëkuptime të llojllojshme, qasje laramane. Një ditë dikush është filolindor, të nesërmen kthehet kah Perëndimi. Sa për popullizmin dhe urbanizmin, këtu e bëjmë çervish, si thuhet ndër ne. Ashtu si edhe me demokracinë dhe me trashëgiminë komuniste.

Enver Hoxhën dhe sojin e tij nuk e kemi më në zemër. Të paktë janë ata që thonë ndryshe. Por, në kokë e kemi shumë prej nesh. E asnjeri nuk e pranon.

Enver Hoxha këtu është mentalitet, e jo ideologji. Të kuptohemi.

Në SHBA’të e viteve të fundit, pas të gjitha ndryshimeve të mëdha që nisën atje, me prishjen e Murit të Berlinit (në vitin 1989), kur u mendua që kohërat e ardhshme do të jenë vetëm epoka të ndreqjes dhe të ndërtimit, ka shumë debat për gjendjen politike dhe ekonomike të shtetit më të zhvilluar në historinë e njerëzimit.

Politika atjepari njeh demokratët dhe republikanët. Dyshi që mjafton për demokraci dhe politikë të mirëfilltë, po që se, natyrisht, nuk dëmtohet kategoria. Aty kah qendra gravitojnë te dyja. Por, kjo qendër ka nisë të vendnumërojë, të venitet në fakt, të mëdyshë vlerat e trashëguara të demokracisë amerikane. Për këtë shkak, kërkohet një politikë e re hibride, që është klasifikuar si “Qendër Radikale”, e cila duhet t’i dalë Zot kohës së sotme, problemeve të reja dhe atyre të vjetrave që me mutacion sot janë bërë shumë të rrezikshme.

Kosova është Kosovë, Amerika është Amerikë. Por, ja që nocioni i “Qendrës Radikale” (këtu radikalizmi nuk ka gjë të përbashkët me domethënien kinse patriotike që vazhdon të qarkullojë në “avenytë” politike dhe mediatike të Kosovës), mund të jetë adekuat edhe për ne këndejpari, në Botën e Recycle Bin’it të Perëndimit.

Kemi pasur, atje në vitet e tridhjeta, në Shqipëri, një qasje të këtillë, në fakt, të njohur si Neo-Shqiptarizëm. Shumëçka prej saj është aktuale sot e kësaj dite.

Kjo “Qendra Radikale”, në kontekstin tonë, mbase do të mund të ftohej në skenë, si një politikë Post-Pavarësisë, Neo-Perëndimore, Neo-Shqiptare.

Do të ishte kjo një Neo-Këndellje për të gjithë ne. Se na mbyti Klasika politike shqiptare. Do me na lënë pa vetveten.

___________________________

Pjesa e Parë: Hobbesi si Kosovar

Pjesa e Dytë: Llogaritë e gabuara

Pjesa e Tretë: Çfarë shteti jemi

Pjesa e Katërt: Politika Kot

Pjesa e Pestë: Nuk ka qasje në rrjet

Pjesa e Gjashtë: Vetëngulfatja historike

 

Kraftwerk – Das Model