Sot nis ngrohja me “Termokos” për mbi 25 mijë konsumatorë- këtë vit s’ka më zgjerim të rrjetit
Ndërmarrja publike “Termokos” ka njoftuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e sezonit të ngrohjes 2026/2027, i cili nis zyrtarisht sot, më 15 tetor, për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes së kryeqytetit. Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga “Termokos” u tha se bazuar në…
Lajme
Ndërmarrja publike “Termokos” ka njoftuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e sezonit të ngrohjes 2026/2027, i cili nis zyrtarisht sot, më 15 tetor, për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes së kryeqytetit.
Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga “Termokos” u tha se bazuar në të gjitha përgatitjet në bashkëpunim me menaxhimin e ndërmarrjes ka konstatuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshëm për fillimin e sezonit të ri ngrohës në bazë të legjislacionit në fuqi dhe kalendarit të zakonshëm që është nga data 15 tetor.
Sipas zëdhënëses së Termokosit, Afërdita Uka, aktualisht në rrjetin e ngrohjes janë të kyçur mbi 25 mijë konsumatorë.
“Si rëndom furnizimi me ngrohje do të fillojë dhe do të ofrohet për gjithë konsumatorët pa dallim. Mirëpo, për të garantuar sigurinë e pajisjeve dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit, furnizimi me ngrohje do të nisë me kapacitet të kufizuar dhe do të rritet gradualisht, deri në stabilizimin e plotë të furnizimit për të gjithë konsumatorët. Pra, konsumatorët tanë gjatë ditës do ta ndjejnë ngrohjen. Si çdo herë, NP “Termokos” angazhohet maksimalisht, që të ofrojë furnizim të rregullt dhe cilësor me ngrohje për gjithë konsumatorët, gjatë gjithë sezonit ngrohës”, u tha në përgjigje.
Sipas Ukës pasi që vitin e kaluar janë përmbyllur projektet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, gjatë këtij viti nuk ka pasur zgjerim tjetër të rrjetit.
“Ndërkohë, jemi në proces të realizimit të dy projekteve kapitale, siç janë „Solar 4Kosovo II” dhe Projekti për dyfishimin e kapaciteteve, në saje të të cilave do të krijohen mundësitë për kyçjen e mijëra konsumatorëve të rinjë”theksohet tutje.
Po ashtu u tha se nuk do të ketë zgjerim të rrjetit gjatë këtij viti, pasi që pas fillimit të furnizimit me ngrohje nuk lejohen ndërhyrje në rrjet.
Në kuadër të këtyre angazhimeve, është nënshkruar edhe marrëveshja për furnizim me energji me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Sipas ndërmarrjes po ashtu, në koordinim me Komunën e Prishtinës dhe organet drejtuese të ndërmarrjes, është vlerësuar se janë përmbushur kushtet për fillimin e sezonit të ngrohjes./Lajmi.net/