Sopi kritikon Trendafilovën: Specialja po sillet si propaganduese, jo si gjykatë
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi, ka kritikuar deklaratat e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, e cila ka mbrojtur pavarësinë e këtij institucioni dhe ka folur për dezinformatat lidhur me punën e tij. I ftuar në emisionin “Ditari” në TËVË1, Sopi tha se deklaratat e tilla nuk janë të reja për ta,…
Lajme
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi, ka kritikuar deklaratat e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, e cila ka mbrojtur pavarësinë e këtij institucioni dhe ka folur për dezinformatat lidhur me punën e tij.
I ftuar në emisionin “Ditari” në TËVË1, Sopi tha se deklaratat e tilla nuk janë të reja për ta, duke pretenduar se Gjykata Speciale ka devijuar nga arsyeja për të cilën është themeluar.
“Ne jemi mësuar me deklarata të tilla. E dimë që kjo gjykatë e ka devijuar arsyen për të cilën është formuar. E tha shumë mirë edhe avokati se arsyeja pse është formuar kjo gjykatë, dhe pse ne kemi pranuar të formohet, ka qenë mbi bazën e akuzave shumë të rënda kundër UÇK-së, ku gjithçka është ndërlidhur me trafikimin e organeve”, deklaroi Sopi.
Ai theksoi se, sipas tij, Trendafilova ka lënë anash faktin se themelimi i Dhomave të Specializuara është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, për çka, sipas tij, ky institucion duhet të tregojë më shumë transparencë dhe llogaridhënie.
“Ka harruar kjo gjykatë se themelues i saj është Parlamenti i Kosovës dhe deputetët e Kosovës, të cilët e kanë votuar themelimin e saj. Prandaj, ajo është dashur që ndonjëherë ta njoftojë këtë parlament për punën e saj”, u shpreh ai.
Sopi kritikoi edhe mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale, duke pretenduar se gjatë procesit gjyqësor janë shkelur të drejtat e njeriut dhe se ka pasur mungesë transparence.
“E dimë që kjo gjykatë ka karakter të jotransparencës dhe të shkeljes së të drejtave të njeriut. Prandaj, Trendafilova më shumë është duke ushtruar detyrën e një zëdhënëseje apo propagandueseje të Dhomave të Specializuara, sesa të kryetares së tyre”, tha Sopi.
Ai ngriti shqetësime edhe për mënyrën e administrimit të provave dhe dëshmive në proceset gjyqësore, duke pretenduar se trupi gjykues ka favorizuar Prokurorinë.
“Ne e kemi parë padrejtësinë që po bëhet nga kjo gjykatë. E kemi parë se trupi gjykues vazhdimisht ka mbajtur anën e Prokurorisë, duke u shërbyer me dëshmi të rrejshme nga dëshmitarë serbë, si dhe me dëshmitarë që, sipas nesh, nuk kanë qenë të besueshëm. E dimë se aty janë shkelur të drejtat e njeriut”, deklaroi ai.
Sipas Sopit, proceset në Hagë po krijojnë rrezikun e shtrembërimit të historisë së luftës në Kosovë. Ai tha se historia e vendit nuk mund të ndryshohet përmes proceseve gjyqësore.
“Është duke u tentuar të rishkruhet historia, mirëpo historia është shkruar me gjakun e dëshmorëve dhe me luftën tonë të drejtë për liri. Nuk ka forcë që mund ta devijojë apo ta shtrembërojë historinë, sepse e dimë që shteti ynë është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve për liri”, përfundoi Sopi.
Deklaratat e tij vijnë pas reagimit të Ekaterina Trendafilovës, e cila ka mbrojtur pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe ka theksuar se institucioni garanton të drejtën për gjykim të drejtë, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ajo gjithashtu ka deklaruar se të akuzuarit mund t’i drejtohen Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese nëse konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat.