​Protestat në Shqipëri, Parlamenti mblidhet të enjten

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet të enjten (22 tetor) në orën 10:00, në seancë plenare, pas moszhvillimit të seancës së javës së kaluar për shkak të protestave të dhunshme. Deputetët do të rikthehen në sallën e seancave plenare me një agjendë që përfshin interpelanca urgjente me ministra, shqyrtimin e disa projektligjeve dhe diskutime për…

Lajme

20/10/2026 19:05

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet të enjten (22 tetor) në orën 10:00, në seancë plenare, pas moszhvillimit të seancës së javës së kaluar për shkak të protestave të dhunshme.

Deputetët do të rikthehen në sallën e seancave plenare me një agjendë që përfshin interpelanca urgjente me ministra, shqyrtimin e disa projektligjeve dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Një prej pikave të para do të jetë interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Po ashtu, është parashikuar interpelancë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e kërkuar nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar gjithashtu interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Në rendin e ditës përfshihen edhe disa projektligje, ndër të cilat ratifikimi i konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, si dhe marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për krijimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kontrollit kufitar.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu ndryshime në legjislacionin për shërbimet e pagesave, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, të drejtat e autorit, si dhe treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.

Në rendin e ditës është përfshirë edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë, shkruan RTSH, transmeton KosovaPress.

Rikthimi i punimeve parlamentare vjen pas ndërprerjes së javës së kaluar, në një kohë kur protestat e dhunshme vijojnë prej 8 ditësh në vend.