Messi dhe Ronaldo në garë për çmimin special të “Topit të Artë”

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo do të jenë sërish në garë, këtë herë për të përcaktuar vitin më të madh individual në historinë e Topit të Artë, në kuadër të çmimit special B.O.A.T. (Ballon d’Or Of All Time). Sipas Flashscore, nominimet janë publikuar me rastin e 70-vjetorit të ndarjes së parë të këtij çmimi, ndërsa…

Sport

20/10/2026 19:16

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo do të jenë sërish në garë, këtë herë për të përcaktuar vitin më të madh individual në historinë e Topit të Artë, në kuadër të çmimit special B.O.A.T. (Ballon d’Or Of All Time).

Sipas Flashscore, nominimet janë publikuar me rastin e 70-vjetorit të ndarjes së parë të këtij çmimi, ndërsa tifozët do të kenë mundësinë të votojnë për sezonin që e konsiderojnë më të jashtëzakonshëm.

Messi kryeson listën me tetë vite të nominuara, ndërsa Ronaldo është përfshirë me pesë.

Argjentinasi e fitoi Topin e Artë në vitet 2009, 2010, 2011, 2012, 2015, 2019, 2021 dhe 2023, kurse portugezi në vitet 2008, 2013, 2014, 2016 dhe 2017.

Ndër vitet më të spikatura të Messit është viti 2012, kur ai shënoi 91 gola gjatë vitit kalendarik, duke vendosur një rekord historik në futbollin modern.

Në fanellën e Barcelonës, ai realizoi 79 gola, ndërsa 12 të tjerë i shënoi me Argjentinën.

Një tjetër vit i jashtëzakonshëm ishte 2015-a, kur Messi udhëhoqi Barcelonën drejt tripletës, me triumfe në Ligën e Kampionëve, La Liga dhe Kupën e Mbretit. Ai shënoi 58 gola në të gjitha garat për klubin gjatë atij viti kalendarik.

Në vitin 2023, Messi fitoi Topin e tetë të Artë pas triumfit me Argjentinën në Kupën e Botës 2022 në Katar, ku u shpall lojtari më i mirë i turneut, me shtatë gola dhe tri asistime.

Në anën tjetër, Ronaldo spikati veçanërisht në vitet 2016 dhe 2017.

Në vitin 2016, ai fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madridin dhe Kampionatin Evropian me Portugalinë, duke shënuar tre gola në Evropian.

Një vit më vonë, portugezi ishte vendimtar në triumfin e Real Madridit në Ligën e Kampionëve, duke realizuar dy gola në finalen kundër Juventusit, të fituar 4:1.

Ronaldo e përfundoi atë edicion të garës me 12 gola, duke qenë golashënuesi më i mirë.

Në vitin 2008, kur fitoi Topin e parë të Artë, ai shënoi 42 gola për Manchester Unitedin në të gjitha garat gjatë sezonit 2007/08 dhe fitoi Ligën e Kampionëve, duke u afirmuar si një prej futbollistëve më të mirë në botë.

Përveç dy rivalëve të mëdhenj të futbollit modern, në listë janë edhe Johan Cruyff, Michel Platini dhe Marco van Basten, me nga tri vite të nominuara, si dhe Ronaldo Nazário, Franz Beckenbauer, Alfredo Di Stéfano, Karl-Heinz Rummenigge dhe Kevin Keegan.

Votimi për çmimin B.O.A.T. kushton një euro për votë dhe mbyllet më 27 tetor në mesnatë.

Rezultatet pritet të shpallen më 28 tetor, ndërsa ceremonia kryesore do të mbahet më 26 tetor në London Palladium, në Londër.