Sonte luhet ‘El Clasico’ – debutimi i Setien, rekordi i Messi dhe një spektakël i garantuar

Sonte do të kemi përballjen më interesante në botën e futbollit, atë mes Real Madrid dhe Barcelonës.

Sport

01/03/2020 08:59

Real Madrid do të jenë nikoqirët e rivalit të përbetuar, Barcelonës, në ‘Santiago Bernabeu’, në kuadër të xhiros së 26-të në La Liga, shkruan lajmi.net.

Kjo klasike do të ketë rëndësi të madhe sa i përket lidershipit të tabelës, pasi fitorja e secilës skuadër do të ishte e barasvlefshme me pozitën e parë.

Barcelona futet në këtë takim si lidere, me 55 pikë të grumbulluara nga 25 xhiro, kurse Real Madrid ka dy pikë më pak.

Në këtë derbi vëmendje merr edhe debutimi i Quique Setien në ‘Clasico’. Trajneri i Barcelonës i cili mori skuadrën në gjysmë-sezon do të jetë pjesëmarrës për herë të parë në derbin më të madh në botën e futbollit. Ai para ndeshjes është shprehur i lumtur dhe ka premtuar më të mirën.

Në anën tjetër, edhe Lionel Messi, si gjithmonë, ka vëmendjen e të gjithëve. Argjentinasi do të bëhet lojtari me më së shumti paraqitje në një ‘Clasico’, duke kaluar rekordin e shokut të skuadrës, Xavi Hernandez.

Për ‘Los Blancos’ në anën tjetër, ndeshja do të jetë jetike, pasi një humbje lehtë mund të thoshte edhe fundin e kampionatit, me Barcelonën që do të shkonte në +5 pikë.

Eliminimi nga Kupa e Mbretit dhe humbja e pësuar në Ligën e Kampionëve, shtuar edhe humbjen e mundshme kundër Barcës, do të ishin një ‘sezon i vrarë’ për skuadrën e Zinedine Zidane.

Presioni është maksimal në të dyja kampet. Tri pikët do të kontestohen maksimalisht në mitikun ‘Bernabeu’. Përballja mes dy gjigantëve të futbollit evropian fillon sonte në ora 21:00. /Lajmi.net/