Sonte Kosova luan kundër Zvicrës – “Dardanët” duan rezultat pozitiv!
Sonte në orën 20:45 do të luhet ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “FIFA World Cup 2026”. Takimi do të zhvillohet në Zvicër dhe është një nga më të rëndësishmit në grup, me të dyja kombëtaret që synojnë kualifikimin në turneun më prestigjioz të futbollit botëror, transmeton lajmi.net. UEFA…

Sport
Sonte në orën 20:45 do të luhet ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “FIFA World Cup 2026”.
Takimi do të zhvillohet në Zvicër dhe është një nga më të rëndësishmit në grup, me të dyja kombëtaret që synojnë kualifikimin në turneun më prestigjioz të futbollit botëror, transmeton lajmi.net.
UEFA ka caktuar gjyqtarin e njohur polak, Szymon Marciniak, si kryesor të kësaj sfide. Me përvojë të madhe në arenën ndërkombëtare, Marciniak pritet të garantojë drejtësi në një përballje me intensitet të lartë dhe ngarkesë emocionale të veçantë, për shkak të lidhjeve të forta mes dy vendeve dhe lojtarëve që shpesh ndajnë histori të përbashkëta.
Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka theksuar se kësaj radhe përballja me Kosovën nuk do të trajtohet si një duel “vëllazëror”, por si një sfidë serioze ku fitorja është objektivi i vetëm. Nga ana tjetër, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka shprehur besim në potencialin e skuadrës së tij, duke u mbështetur te entuziazmi dhe talenti i brezit të ri. Edhe sulmuesi Vedat Muriqi është shprehur optimist për një rezultat pozitiv kundër Zvicrës.
Kosova hyn në këtë takim me ambicie dhe dëshirë për të dëshmuar veten në arenën ndërkombëtare, ndërsa Zvicra konsiderohet favorite, falë përvojës së saj dhe paraqitjeve të qëndrueshme ndër vite.
Ndeshja e sotme është jetike për ecurinë e mëtejshme të të dyja përfaqësueseve në grupin kualifikues dhe pritet të sjellë emocione të forta për tifozët në stadium dhe ata që do ta ndjekin nga ekrani./lajmi.net/