Sokoli: Niveli i Superligës është rritur shumë, Gjilani synon dy-tre vendet e para

Trajneri i ri i skuadrës së Gjilanit, Bylbyl Sokoli, e ka bërë të qartë se skuadra që ai e ka marrë në udhëheqje, Gjilani, është shumë e vendosur që në këtë edicion garues të Superligës së Kosovës, të renditet në dy-tre vendet e para.

Sport

27/12/2020 10:32

Sokoli debutoi me një fitore të thellë prej 4-0, ndaj skuadrës së Ballkanit në Suharekë dhe kjo i ka dhënë kurajo dhe besim trajnerit për të synuar diçka më shumë.

Sokoli në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se skuadra që ai drejton ka udhëheqësi të shkëlqyeshme në të gjitha aspektet dhe se aty ku ka kushte, rezultatet nuk do të mungojnë.

“Kosova është në ngritje e sipër të cilësisë. Kosova edhe e ka përmirësuar mjaftë infrastrukturën e që ende nuk është e mjaftueshme kjo, nevojitet shumë më tepër, por është shumë e qartë që ekipi ynë, gjegjësisht kampionati ynë ka shënuar ngritje e sipër edhe përkundër pandemisë”, tha ai.

“Ekipet tona kanë bërë transfere shumë të shtrenjta në këtë afat kalimtar dhe kanë krijuar një konkurrencë shumë të fortë brenda për brenda klubeve….. Unë pres që të ketë edhe më shumë investime, edhe më shumë mobilizim…që kur të dalim në Evropë të kalojmë bile dy, tri xhiro sepse është e nevojshme”, tha Sokoli.

“Është vështirë të parashikohet ajo renditja tabelare, por ne e dimë që nuk kemi luajtur me Spanjën dhe me Suedinë kurse me Greqinë kemi zhvilluar gara. Unë po them kundër Spanjës dhe Suedisë do të kemi një ballafaqim i cili nuk na favorizon shumë, por jam i sigurt që nëse Përfaqësuesja e Kosovës vjen me të gjithë futbollistët që janë në formë më të mirë dhe të gjithë futbollistët të cilët luajnë në ekipet më të mëdha siç është Rrahmani, Muriqi, Rashica, unë mendoj se do të kemi ekip i cili do të ketë, do të na jep shpresa për ndonjë rezultat të favorshëm, por duhet pranuar se këto ekipe sidomos Spanja, Suedia edhe Greqia janë në ranglistë shumë më lartë se që është Kosova”, shtoi ai.

“Janë ekipe shumë cilësore, janë ekipe të cilët kanë në mesin e tyre futbollist te shquar nëpër shumë klube me nam, prandaj janë favorit por ne në këtë pjesë duhet kërkuar prezantim ndeshje pas ndeshje, jo të mendojmë për Greqinë para se me lujtë me Greqinë, jo te mendojmë për Spanjën derisa luajmë me Greqinë e kështu me radhë, por kjo nuk ka ndodhur sepse kemi përzgjedhës me përvojë dhe kam bindjen se ekipi ynë do të dijë të mobilizohet ndaj këtyre kundërshtarëve të fuqishëm”, tha Bylbyl Sokoli.

 

YouTube player