Smakiqi kitikon institucionet: Ish-krerët e UÇK-së janë viktima të një procedure penale arbitrare gjashtëvjeçare – nuk patën mbrojtje efektive

Avokati, Xhevdet Smakiqi, ka komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga inicimi i procedurës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e deri te shpallja e aktgjykimit në shkallën e parë, e cila pritet të bëhet më 16 shtator 2026. Smakiqi në një prononcim për Lajmi.net ka vlerësuar se procedura penale në…

Lajme

15/09/2026 14:36

Avokati, Xhevdet Smakiqi, ka komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga inicimi i procedurës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e deri te shpallja e aktgjykimit në shkallën e parë, e cila pritet të bëhet më 16 shtator 2026.

Smakiqi në një prononcim për Lajmi.net ka vlerësuar se procedura penale në Dhomat e Specializuara të Kosovës është karakterizuar, sipas tij, nga rregulla të pazakonta dhe shkelje të parimeve themelore për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve.

“Meqenëse e kemi theksuar shumë procedurën penale nga DHSK-ja, prej inicimit e deri në shpalljen e aktgjykimit në shkallën e parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i është nënshtruar rregullave të çuditshme, të pazakonta dhe duke shkelur parimet themelore për mbrojtjen e të drejtave themelore të të akuzuarve”, ka deklaruar Smakiqi.

Sipas tij, që nga fillimi i procedurës penale nga ZPS-ja e deri te fjala përfundimtare, janë shkelur, sipas tij, disa nga parimet bazë të drejtësisë penale.

“Prej fillimit të procedurës penale nga ZPS-ja e deri në fjalën përfundimtare, kjo procedurë penale ka qenë me shkelje të parimeve bazë të drejtësisë penale, si parimi i publicitetit, ku mbi 60% e procesit gjyqësor ka qenë i redaktuar për publikun vendor e ndërkombëtar, është shkelur parimi i barazisë së palëve në kohën dhe mjetet juridike, ka pasur shkelje të konfliktit të interesit, ku një trup gjykues ka shqyrtuar kërkesat e mbrojtjes për të vlerësuar shkeljet e veta”, është shprehur ai.

Smakiqi ka pretenduar gjithashtu se gjatë procesit është shkelur edhe e drejta për një gjykim në kohë të arsyeshme dhe të drejtë, e garantuar me nenin 6 të Konventës për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.

“Ky trup gjykues ka shkelur edhe parimin e njohur të drejtësisë për një gjykim në kohë të arsyeshme dhe të drejtë, nenin 6 të Konventës për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, parimin e kontradiktoritetit, ballafaqimit me dëshmitarët dhe provat materiale të ZPS-së”, ka thënë Smakiqi për lajmi.net

Ai i ka cilësuar rregullat e procedurës në DHSK si krijuese të një diskrecioni të gjerë për gjyqtarët dhe ZPS-në.

“Këto rregulla kuazi autentike të rregullores së DHSK-së kanë krijuar diskrecion të gjerë të gjyqtarëve dhe ZPS-së deri në arbitraritet në dëm të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke i bërë viktima ish-krerët e UÇK-së nga nëntori 2020 e deri sot”, ka deklaruar ai.

Duke folur për shpalljen e aktgjykimit në shkallën e parë, e cila është paralajmëruar për 16 shtator 2026, Smakiqi ka thënë se procesi mund të zgjasë disa orë, për shkak të kompleksitetit të rastit.

“Konsiderojmë se për shkak të dosjes voluminoze, 6 pikave të aktakuzës, gjuhës zyrtare, përkthimit simultan, ndjeshmërisë së madhe në Kosovë e në Ballkan, shpallja e aktgjykimit në shkallën e parë më 16.09.2026 mund të zgjasë 3 deri në 5 orë, rast ndoshta i vetëm ndonjëherë, por varet edhe se si trupi gjykues e ka përgatitur shpalljen, deri në çfarë mase e ka përshkruar arsyetimin për verdiktin, qoftë lirues që ne e presim me bindje të plotë apo edhe dënues”, ka thënë Smakiqi për lajmi.net

Sa i përket pretendimeve të ZPS-së, avokati ka vlerësuar se prokuroria ka dështuar, sipas tij, që në seancat publike të dëshmojë tezën e aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Nga ajo çka kemi parë në seancat publike, ZPS-ja ka dështuar tërësisht ta mbështesë tezën apo dispozitivin e aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, për dy arsye: e para dhe vendimtarja, siç e ka konkluduar në fjalën përfundimtare edhe Mr. Simon Layes si Mbrojtës i Viktimave në këtë procedurë penale, se NUK U VËRTETUA LIDHJA SHKAKORE/shkak-pasojë ndërmjet veprimeve konkrete të ish-krerëve të UÇK-së dhe viktimave të pretenduara në aktakuzën e ZPS-së dhe nuk u vërtetua as NPK, ndërmarrja e përbashkët kriminale, si pretendim abstrakt teorik, dhe nuk u vërtetua përgjegjësia efektive komanduese në hapësirën fizike sipas pretendimeve të ZPS-së”, ka deklaruar ai.

Sipas Smakiqit, nëse trupi gjykues e vlerëson çështjen me ndërgjegje të lartë dhe mbështetet në praktikën e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), rezultati duhet të jetë pafajësia e ish-krerëve të UÇK-së.

“Mbeshtetur në këtë gjendje faktike e juridike, Trupi Gjykues i DHSK-së, nëse do të vlerësojë me ndërgjegje të lartë dhe mbështetur në praktikën e ICTY-së në rastin Haradinaj dhe Limaj, në dëshmitarët ish-diplomatë të SHBA-së, qëllimi themelor i vetëm i UÇK-së ishte çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe ishin aleatë të NATO-s për shpëtimin e popullatës civile, 4-shja e UÇK-së do të shpallen të PAFAJSHËM”, ka thënë Smakiqi.

Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, ZPS-ja i ka akuzuar ish-krerët e UÇK-së në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe si bashkëpërgjegjës, por nuk ka arritur ta mbështesë këtë pretendim me prova.

“ZPS-ja, sa kemi parë në seanca publike, i ka akuzuar 4-shen si NPK dhe bashkëpërgjegjës, prandaj ka dështuar në tërësi të mbështetjes faktike të dispozitivit të aktakuzës”, është shprehur ai.

Në fund, Smakiqi ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës për qasjen e tyre ndaj ish-krerëve të UÇK-së gjatë këtyre viteve.

“Për fund, me bindje themi se ish-krerët e UÇK-së janë viktimë e një procedure penale arbitrare 6-vjeçare edhe për fajin e një legjislature e qeverie edhe anti-UÇK-je dhe një opozite të hutuar, ku të vetmen përkrahje i kanë pasur shëtitjet kinse vizitat fizike pa asnjë efekt të mbrojtjes efektive nga shteti që vetë e kanë themeluar”, ka përfunduar Smakiqi.

Seanca për shpalljen e aktgjykimit është caktuar të mbahet të mërkurën, më 16 shtator, në orën 10:00, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë./Lajmi.net/