​S’kanë të ndalur dështimet në Kuvend, partitë akuzojnë njëra-tjetrën

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për herë të 45-të kanë dështuar të konstituojnë legjislaturën e nëntë. Tentimi i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit nuk mori përsëri mbështetjen e partive të tjera politike. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 13 korrik në…

Lajme

11/07/2025 13:30

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për herë të 45-të kanë dështuar të konstituojnë legjislaturën e nëntë. Tentimi i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit nuk mori përsëri mbështetjen e partive të tjera politike. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 13 korrik në orën 11:00, raporton KosovaPress.

Megjithatë, edhe kësaj radhe, pas ndërprerjes së seancës konstituive dhe pa asistencë të administratës së Kuvendit, deputetët e ish-opozitës – PDK-së, LDK-së dhe AAK-së – mbajtën fjalime në Kuvend.

Të njëjtat parti akuzuan partinë që ka dalë e para në zgjedhje – Lëvizjen Vetëvendosje, se po bllokon konstituimin e Kuvendit dhe po shkel Kushtetutën e vendit, sidomos pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për krizën politike. Pas përfundimit të deklarimeve të tyre, ata u larguan nga salla plenare.

Paraprakisht, seanca e së premtes filloi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit të ndodhur në Srebrenicë.

Edhe këtë herë, deputetë të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, posa u ftuan nga kryesuesi i seancës për të propozuar emrat për komisionin verifikues për zgjedhjen në formë të fshehtë të kryeparlamentarit, kërkuan rikthim në rendin e ditës të seancës konstituive. Megjithatë, kryesuesi Avni Dehari ishte i shpejtë në kërkesën ndaj regjisë së Kuvendit për t’ua ndërprerë fjalën atyre.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri akuzoi Deharin se po shkel Kushtetutën.

“Sot është hera e 45-të që kryesuesi është duke shkelur Kushtetutën”, tha ai.

Por, Dehari reagoi menjëherë duke i ndërprerë mikrofonin.

Dehari: “Regjia, t’i ndërpresë mikrofonin!”

“Regjia, t’i ndërpresë mikrofonin”, theksoi ai.

Kërkesë të ngjashme paraqiti edhe deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni, i cili theksoi domosdoshmërinë e respektimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku sipas tij, votimi i fshehtë konsiderohet antikushtetues.

“I nderuar kryesues, unë propozoj që të ktheheni në rendin e ditës dhe të respektoni Gjykatën Kushtetuese”, theksoi ai.

Ndërkaq, sipas deputetes Time Kadrijaj, bllokada në Kuvend po bëhet qëllimshëm nga LVV-ja, derisa ajo nuk propozoi asnjë emër për anëtarë të komisionit verifikues për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.

“Ka një bllokadë të qëllimshme”, tha ajo.

Pavarësisht këtyre deklarimeve, kryesuesi i seancës hodhi në votim komisionin verifikues për votimin e fshehtë, mirëpo ai mori vetëm 49 vota pro, ndonëse në seancë ishin të pranishëm 99 deputetë.

Për pasojë, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu seancën, duke njoftuar se ajo do të vazhdojë më 13 korrik në orën 11:00.

Sidoqoftë, partitë që deri tani ishin në opozitë vazhduan qëndrimin në sallën plenare, duke vazhduar “seancën” dhe mbajtjen e fjalimeve, ani pse në Rregulloren e Kuvendit nuk parashihet mbajtja e fjalimeve në seancën konstituive.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se fjalimet në Kuvend po mbahen si shenjë proteste ndaj LVV-së, e cila sipas saj po mban peng Kosovën.

“Është e turpshme dhe antikushtetuese që deputetët e zgjedhur me votën e qytetarëve të Kosovës sot nuk lejohen të ushtrojnë mandatin e tyre përfaqësues. Ky mandat nuk na është dhënë nga ndonjë parti politike, por nga qytetarët, ndaj të cilëve ndjejmë obligim dhe përgjegjësi qytetare”, tha ajo.

Sot nuk po flasim për ndonjë keqkuptim teknik, por kemi të bëjmë me një bllokadë të qëllimshme për të shtypur pluralizmin politik dhe për të uzurpuar pushtetin përtej kontrollit institucional. Kjo është një shkelje flagrante e rendit kushtetues dhe një sulm i paprecedent ndaj demokracisë”, theksoi ajo.

Fjalën e mori sërish deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni, i cili akuzoi kreun e LVV-së, njëherësh kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se nuk është burrështetas, pasi po uzurpon institucionet pa tentuar të arrijë një kompromis për zgjidhjen e krizës politike.

“Pushtetari dhe burrështetasi janë dy koncepte të ndryshme. Pushtetari është ai që bën gjithçka që të vijë dhe të mbajë pushtetin, ndërkaq burrështetasi bën gjithçka që shteti të ketë mirëqenie dhe të jetë stabil. Sot kemi të bëjmë me pushtetarë dhe jo me burrështetas, të cilët nuk do të jenë askund. Pra, uzurpimi i institucioneve, shkelja e Kushtetutës dhe shmangia nga procedura e rendit të ditës në këtë seancë konstituive janë dëshmi se këta njerëz vërtet bëjnë atë që u konvenon për pushtetin, dhe jo për qytetarin”, theksoi ai.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, akuzoi deputetët e LVV-së se po pengojnë me britmat e tyre fjalën e deputetëve të ish-opozitës.

Ajo shtoi akuza ndaj Kurtit, duke thënë se po mbron mafien energjetike në Kosovë.

“Deputetët e frustruar të Lëvizjes Vetëvendosje me britmat e tyre po pengojnë edhe atë fjalë që po jep kryesuesi i seancës. S’kemi rrugë tjetër përveç që të drejtohemi përmes mediave. Albin Kurti ka ardhur në pushtet përmes premtimeve të mëdha dhe një prej tyre ka qenë se do të luftojë oligarkët. A është oligark Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës dhe abuzim me miliona euro? A kemi ndonjë kritikë apo shkarkim të këtij ambasadori? Jo. Ky është shok i Albin Kurtit dhe është mbrojtur duke u arsyetuar kjo mafi energjetike që e ka instaluar Kurti në Kosovë”, deklaroi Kadrijaj.

Kosova është në krizë politike qysh prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke dështuar të formojë institucionet e reja.

Përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për ngërçin në Kuvend dhe obligimin taksativ për konstituim të Kuvendit jo më larg se 26 korriku, partitë parlamentare kanë vazhduar avazin e dështimit në zgjedhjen e trupave të legjislativit në pesë seancat e fundit.

Mes tjerash, në aktgjykim kërkohet që partitë parlamentare, veçmas partia e parë në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, në mirëbesim të bashkëpunojnë për konstituimin e Kuvendit.

Në anën tjetër, PDK dhe LDK i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 4 korrik, duke kontestuar veprimet e kryesuesit të seancës konstituive, deputetit të LVV-së, Avni Dehari, mbi “kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; hedhjen në votim të këtij Komisioni; vetë votimin e Komisionit; dhe ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit”, pas aktgjykimit të Kushtetueses më 26 qershor.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në gjashtë tentime të hapura nuk ka arritur të sigurojë 62 votat e nevojshme për të marrë