Shtyhet sërish gjyqi ndaj Tahirit

Është shtyrë për herë të tretë gjyqi te Krimet e Rënda, ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Pas kësaj Tahiri ka dalë i revoltuar përpara gazetarëve dhe ka hedhur akuza të rënda për gjykatën e Krimeve të Rënda dhe sistemin e drejtësisë.

Lajme

17/07/2019 11:32

Sipas tij kjo zvarritje është e qëllimshme, por në fund ai do t`ja dalë. Tahiri ju tha gazetarëve, se gjykata pretendon se janë humbur disa dokumente që kanë të bëjnë me çështjen e tij, si dhe ende nuk janë përkthyer dëshmitë e Moisi Habilajt dhe Nezar Seitit në Itali.

“Edhe një çerdhe është më e organizuar”- tha Tahiri, duke shtuar se është i gatshëm që të heqë dorë nga provat e mbrojtjes që ka depozituar në gjykatë, vetëm gjyqi ndaj tij të mos shtyhet më. Ai “premtoi” gjithashtu në mënyrë të koduar, se do ta shihni se si do të jetë fundi i këtij procesi.

Saimir Tahiri akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe për trafik ndërkombëtarë të drogës. Seanca e radhës është caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për në datë 22 të muajit Korrik./syri.net