Shtëpi në lagjen “Marigona”, disa banesa, 3 shtëpi tjera, toka dhe aksione biznesi- Deklarim ii fundit i pasurisë që kishte bërë presidentja Shiroka-Pula

Mbrëmë Kosova arriti që të zgjedhë presidenten e re. Votimi i fshehtë nisi vetëm gjashtë minuta para mesnatës së 6 tetorit, kur skadonte afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, por përfundoi pas këtij afati. Deputetët synonin të shmangnin shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe zgjedhjet e tjera të parakohshme. Ajo u zgjodh qysh në rundin e…

Lajme

07/10/2026 12:54

Mbrëmë Kosova arriti që të zgjedhë presidenten e re.

Votimi i fshehtë nisi vetëm gjashtë minuta para mesnatës së 6 tetorit, kur skadonte afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, por përfundoi pas këtij afati. Deputetët synonin të shmangnin shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe zgjedhjet e tjera të parakohshme.

Ajo u zgjodh qysh në rundin e parë të votimit, me 81 vota për.

Justina Shiroka Pula është zgjedhur presidentja e vendit, pas një propozimi që kryeministri Albin Kurti bëri në orët e fundit pak para skadimit të afatit e që rrezikonte ta çonte vendin sërish në zgjedhje.

Kurti propozoi Shiroka-Pulën, ndërsa tha se i mbetet kryetarit të PDK-së që ta bind atë për të pranuar këtë pozitë meqenëse ajo është bashkëpunëtore e kësaj partie politike ndër vite.

Justina Shiroka Pula e cila drejton Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës pranoi postin e presidentes dhe e njëjta u betua që t’i shërbejë vendit dhe qytetarëve.

Shiroka Pula, 72 vjeçe, u betua si presidente para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe tha se e pranon “me përgjegjësi” detyrën e re.

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit”, tha ajo në fjalimin e saj para deputetëve.

Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.

Por çka deklaroi si pasuri Justina Shiroka-Pula?

Në deklarimin e pasurisë që figuron për vitin 2024 kishte deklaruar disa prona të paluajtshme, aksione në një kompani si dhe dy kredi bankare.Deklarimi i pasurisë së saj figuron të jetë dorëzuar më 29 mars 2024, kur asokohe e njëjta figuron në funksionin e anëtares së Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Agjencinë e Statistikave të Kosovës. Në të njëjtin deklarim, ajo kishte deklaruar edhe funksionin e nënkryetares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), transmeton lajmi.net.

Ajo deklaroi disa banesa dhe shtëpi në vlera të majme.

Justina Pula-Shiroka pati deklaruar një banesë 69 metra katrorë, e blerë në vitin 1996 me vlerë të deklaruar 34 mijë euro.

Ajo kishte deklaruar edhe një banesë prej 140 metrash katrorë, të cilën e kishte përfituar përmes trashëgimisë, me vlerë të deklaruar prej 111.52 eurosh.

Në deklarim figuron edhe një shtëpi prej 135 metrash katrorë, e blerë në vitin 2017 me kredi, me vlerë të deklaruar prej 130 mijë eurosh. Shtëpia në fjalë figuron të jetë në lagjen Marigona.

Pula kishte deklaruar edhe një shtëpi prej 174 metrash katrorë, të përfituar në vitin 2019 dhe me vlerë prej 250 mijë eurosh, e regjistruar si pronësi e përbashkët. Sipas deklarimit, kjo pasuri lidhet me kompensimin e një banese në kompleksin Plaza, kursimet nga qiraja, trashëgiminë dhe biznesin.

Në deklarim figurojnë edhe një shtëpi prej 126 metrash katrorë, e trashëguar dhe e regjistruar si 1/4 pjesë e pronësisë, me vlerë të deklaruar prej 110 mijë eurosh, si dhe një shtëpi prej 358 metrash katrorë, e trashëguar në 1/3 e pronësisë, me vlerë prej 100 mijë eurosh.

Po ashtu, Pula kishte deklaruar një banesë prej 120 metrash katrorë, të blerë në vitin 2022, me vlerë prej 200 mijë eurosh, si dhe 30 ari tokë, të blerë me kredi në vitin 2023, me vlerë të deklaruar prej 120 mijë eurosh.

Përveç pronave, në deklarim figuron edhe pronësia e 52 për qind të aksioneve në kompaninë “DLLL”, me vlerë të deklaruar prej 2,600 eurosh.

Kurse në deklarim të pasurisë sa i përket detyrimeve financiare, ajo deklaroi një kredi në një bankë, të mrrë për blerjen e një shtëpie në Lagjen Marigona.

Kredia ishte deklaruar në vlerë filletare prej 120 mijë euro, kurse në momentin e deklarimti borxhi i mbetur ishte 40 mijë euro.

Një kredi tjetër ishte deklaruar në një bankë, për blerjen e tokës, me vlerë fillestare prej 120 mijë eurosh dhe borxh të mbetur prej 114,217 eurosh.

Në deklarimin e vitit 2024, Pula kishte deklaruar edhe mjete në llogari bankare. Ajo kishte 668.33 euro në një xhirollogari, 2,740.69 euro në një xhirollogari tjetër dhe 2,049.57 euro në një xhirollogari tjetër./Lajmi.net/

Kush është Shiroka Pula?

Shiroka Pula është ekonomiste dhe akademike, gruaja e parë që udhëheq Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), institucion i themeluar më 1975.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Prishtinë, ku më 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik. Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi më 1984 në Zagreb, ndërsa doktoroi në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Shiroka Pula ka punuar në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa më 1978 nisi karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Sipas biografisë së saj në ASHAK, ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.

Nga viti 2008 deri më 2011, ajo ishte ministre e Energjisë dhe Minierave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës

Pas luftës, ajo u angazhua edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësisë.

Justina-Pula