Rrahmani propozon rritjen graduale të pagës minimale deri në 1 mijë euro në vitin 2029
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës një amendament përmes të cilit propozon rritjen graduale të pagës minimale deri në 1 mijë euro në muaj, deri në janar të vitit 2029. Sipas propozimit të Rrahmanit, paga minimale do të rritej në tri faza: nga janari i vitit…
Lajme
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës një amendament përmes të cilit propozon rritjen graduale të pagës minimale deri në 1 mijë euro në muaj, deri në janar të vitit 2029.
Sipas propozimit të Rrahmanit, paga minimale do të rritej në tri faza: nga janari i vitit 2027 në 650 euro, nga janari i vitit 2028 në 825 euro, ndërsa nga janari i vitit 2029 në 1 mijë euro, transmeton lajmi.net.
Përmes një postimi, Rrahmani ka thënë se rritja aktuale e pagës minimale nuk po arrin ta përcjellë koston e jetesës në Kosovë.
“Vlerësoj se rritja e pagës minimale nuk po arrin të përcjellë as rritjen e kostos së jetesës në vendin tonë”, ka shkruar ai.
Deputeti i PDK-së ka vlerësuar se propozimi i tij është i realizueshëm dhe i domosdoshëm për ruajtjen e fuqisë punëtore në Kosovë, si dhe për sigurimin e një jete më të dinjitetshme për punëtorët.
Rrahmani ka rikujtuar edhe propozimin e tij të vitit 2022, kur kishte kërkuar që paga minimale të ishte 500 euro, duke thënë se në atë kohë ky propozim ishte konsideruar i paarritshëm nga shumëkush, përfshirë edhe ministrin.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve të të gjitha partive politike që ta mbështesin amendamentin.
“Përgjegjësia jonë ndaj punëtorëve dhe familjeve të tyre duhet të jetë mbi çdo dallim politik”, ka theksuar Rrahmani.
Në fund, deputeti ka thënë se punëtorët në Kosovë duhet të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre.
“Punëtorët e Kosovës meritojnë të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre, jo vetëm të mbijetojnë!”, ka përfunduar ai.