Shqiptarët, nga lufta në ‘Euro 2016’ shumë të civilizuar! (FOTO)

Qindra shqiptarë dhe zviceranë nga Zvicra e kishin marrë rrugën drejt Francës për ta mbështetur Kombëtaren kuqezi, por atyre nuk u mungoi asnjëherë respekti për vendin që i është gjendur kur kishin më së shumti nevojë.

Sport

15/06/2016 12:10

Shqiptarët po tregojnë se janë integruar me sukses në Zvicër. Këtë e demonstruan më së miri gjatë ndeshjes së parë të Evropianit të Francës, ku ishin shembull, shkruan në numrin e sotëm Gazeta Zëri.

Qindra shqiptarë dhe zviceranë nga Zvicra e kishin marrë rrugën drejt Francës për ta mbështetur Kombëtaren kuqezi, por atyre nuk u mungoi asnjëherë respekti për vendin që i është gjendur kur kishin më së shumti nevojë.

Edhe pse fituan zviceranët 1:0, tek tifozët mbizotëroi qetësia dhe humori i mirë në të dyja taborët. Nuk pati kurrfarë zënke. Përkundrazi. Zviceranët dhe shqiptarët festonin së bashku. “E kuqja është e kuqe”, i ka thënë një tifoz shqiptar të së përditshmes zvicerane “20 Minuten”, transmeton “Zëri”.

“Nëse është kuqezi ose kuqebardh, kjo nuk ka shumë rëndësi. Festojmë të gjithë së bashku”, kanë thënë tifozët. Shumë shqiptarë kanë mbetur mjaft të zhgënjyer, por pavarësisht kësaj ata festuan.

Image

“Në realitet, edhe kemi fituar sepse jemi edhe të Zvicrës”, thotë një shqiptar i Kosovës. “Edhe kur të fitojë Zvicra shqiptarët festojnë”, thoshte Ardit Nasufi, një tifoz shqiptar para fillimit të ndeshjes.

Madje, edhe policia e qytetit të Zurichut e ka konfirmuar “vëllazërimin”, duke vendosur një flamur kuqezi në njërën prej veturave të saj.

“Është e mundshme të kesh kultura apo histori të ndryshme, por që mund të integrohesh. Kjo është demonstruar në mënyrë impresionuese të shtunën”, thotë Ylgete Fanaj nga kantoni i Luzernit.

Image

“Integrimi social dhe profesional i të rinjve shqiptarë ‘vrapon’ më shpejt dhe më mirë se që shumë njerëz mund ta mendojnë”, thotë eksperti i zhvillimit dhe integrimit, Thomas Kessler.

“Gjenerata e vitit 2000 është integruar mirë”, ka shtuar ai, duke iu referuar mbi të gjitha atyre që kanë shkuar në Zvicër duke i ikur luftës së ’99-s në Kosovë. Të rinjtë shqiptarë kanë pasur probleme në shkollë, por i kanë mbledhur forcat dhe ua kanë ndryshuar mendjen zviceranëve të rinj, të cilët në fillim ishin “me nerva”.

Image

Falë ofertave dhe mundësive të ndryshme shqiptarët ia kanë dalë. “Janë mirënjohës dhe janë përmirësuar shumë në Zvicër, madje ka prej tyre që qëndrojnë më mirë se zviceranët. Ka prej tyre që kanë shkuar në ushtri, e kanë motivimin mbi mesatare, kanë mbajtur gjallë klubet sportive. Dhe, herë pas here shqiptarët nxjerrin edhe akademikë”, vazhdon Kessler. Sipas tij, studentët janë mjaft ambiciozë dhe duan të arrijnë në jetë, duke u shkolluar dhe integruar.

Image

“Ndeshja ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë ka demonstruar se integrimi i shqiptarëve, njëjtë si më parë i kroatëve, serbëve apo boshnjakëve, në këtë vend është një sukses. Nuk ka thuajse asgjë që lidhet me agresivitetin”, thotë Ivica Petrusic, oficer i akademisë për të rinj në Zurich.

Sipas tij, ata që vijnë nga ish-Jugosllavia e kanë ende atë karakterin e njëjtë, por që kanë filluar të ndryshojnë, duke u ndier paksa edhe zviceranë.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.