Kushtetuesja i jep dritë të gjelbër vendimit për Graçanicën, Krasniqi: Hapet rruga për projekte sociale madhore

Ministri në detyrë për Administrim të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka mirëpritur vendimin e Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, e cila ka konfirmuar si të ligjshëm vendimin e Qeverisë për shfrytëzimin e tokës komunale në Graçanicë. Gjykata Kushtetuese, përmes aktgjykimit për rastin KO84/25, ka konstatuar me shumicë votash se vendimi i Qeverisë i datës…

Lajme

30/04/2026 16:42

Ministri në detyrë për Administrim të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka mirëpritur vendimin e Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, e cila ka konfirmuar si të ligjshëm vendimin e Qeverisë për shfrytëzimin e tokës komunale në Graçanicë.

Gjykata Kushtetuese, përmes aktgjykimit për rastin KO84/25, ka konstatuar me shumicë votash se vendimi i Qeverisë i datës 28 gusht 2024 nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht me nenet që rregullojnë pushtetin lokal dhe organizimin e vetëqeverisjes lokale.

Po ashtu, Gjykata ka shfuqizuar masat e përkohshme të vendosura më herët për këtë çështje, duke i hapur rrugë zbatimit të plotë të vendimit.

Pas këtij vendimi, ministri Krasniqi e cilësoi atë si një zhvillim të rëndësishëm për sundimin e ligjit në vend.

“Sot është një ditë e mirë për sundimin e ligjit dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”, deklaroi Krasniqi.

Ai theksoi se vendimi i Kushtetueses konfirmon se institucionet veprojnë drejt kur bazohen në ligj dhe interes publik.

“Ky është një konfirmim i qartë se kur vendimet ndërtohen mbi bazë ligjore dhe në interes publik, ato qëndrojnë”, u shpreh ai.

Sipas tij, ky vendim i hap rrugë realizimit të një projekti me rëndësi të veçantë sociale në Graçanicë.

“Ky vendim i hap rrugë ndërtimit të një qendre për fëmijët me autizëm dhe sindromën Down, si dhe një shtëpie për të moshuarit”, tha Krasniqi.

Ai falënderoi edhe organizatën humanitare Jetimat e Ballkanit dhe drejtuesin e saj Halil Kastrati për kontributin në këtë projekt.

Në fund, Krasniqi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke kërkuar që ai të jetë standard në funksion të interesit të qytetarëve.

“Bashkëpunimi ndërmjet komunave dhe institucioneve qendrore duhet të jetë rregull, jo përjashtim, në mënyrë që të ndërtojmë një shtet funksional dhe të drejtë për të gjithë”, përfundoi ai. /Lajmi.net/