Shqipëria fiton 10 milionë euro nëse e kalon grupin në “Euro 2016”

Vetëm fakti që Shqipëria është pjesë e fazës në grupe të “Euro 2016”, i ka dhuruar Federatës së Futbollit një pagesë prej 8 milionë eurosh.

Sport

14/06/2016 09:44

Shqipëria dëshiron ta shfrytëzojë në maksimum pjesëmarrjen e saj të parë në një kampionat Europian. Kuqezinjtë, që janë një prej surprizave të këtij edicioni, do të kërkojnë të vazhdojnë befasinë në kontinent.

Por, përveç të qenit një paraqitje dinjitoze, ajo shoqërohet edhe me shpërblime shumë të majme. Kualifikimi për në raundin tjetër të turneut ka një shpërblim më të madh sesa vetë kualifikimi.

Tashmë ka në dorë mundësinë që ta mbushë arkën më tepër. Çdo fitore në grupe shpërblehet me 1 milion euro, ndërsa barazimi me 500 mijë të tjera.

Në rast se ia dalin që të sigurojnë një “biletë” për në 1/8-tat, duke qenë se kalojnë 16 nga 24 pjesëmarrëse, premio e radhës do të ishte prej plot 9.5 milionë eurosh.

Por, duke ditur që kualifikimi nuk realizohet pa 0 pikë, atëherë për çdo kombëtare, minimumi matematikor do të ishte prej 10 milionësh, shkruan Panorama Sport.

Në total do të varionte nga 18-22 milionë euro për Shqipërinë. Një fond që do të ishte ndihmë e madhe investimesh në futbollin vendës, i cili vazhdon të vuajë probleme të mëdha.

Ndeshjet

Djemve të De Biasit u kanë mbetur edhe dy takime në dispozicion, pasi dështuan që të evitojnë humbjen kundër Zvicrës.

Për të kaluar në raundin tjetër mund të mjaftojë një fitore, por duket se “finalja” e kuqezinjve do të jetë pikërisht kundër Rumanisë, e cila u mund në Franca në takimin hapës të kompeticionit.

Gjithsesi, të mërkurën do të kërkohet që të surprizohet vendi organizator, Franca, ndaj të cilit kanë arritur rezultate pozitive në miqësoret e fundit.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.