Shoqata e Qumështit e ashpër ndaj VV-së pas thirrjeve për bojkot: Sulm ndaj prodhuesve vendorë

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka reaguar me shqetësim dhe keqardhje të thellë ndaj një deklarate të sekretarit organizativ të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Alim Rama, e cila është publikuar në faqen zyrtare të kësaj partie politike. Në deklaratën e z. Rama bëhej thirrje për bojkotim të produkteve të prodhuesve vendorë, duke i stigmatizuar…

Lajme

23/04/2025 23:41

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka reaguar me shqetësim dhe keqardhje të thellë ndaj një deklarate të sekretarit organizativ të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Alim Rama, e cila është publikuar në faqen zyrtare të kësaj partie politike.

Në deklaratën e z. Rama bëhej thirrje për bojkotim të produkteve të prodhuesve vendorë, duke i stigmatizuar ata në mënyrë të pabazë dhe të papranueshme. SHIQK shpreh indinjatën se një përfaqësues politik po nxit linçim ndaj prodhuesve vendorë, të cilët për vite me radhë kanë kontribuar ndjeshëm në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe sigurinë ushqimore të vendit.

“Është e papranueshme që në vitin 2025 të ketë thirrje për bojkot dhe përçarje ndaj sektorëve prodhues, sidomos nga një subjekt politik që ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë pushtet në institucionet publike”, thuhet në reagimin e shoqatës.

Sipas SHIQK-së, sektori i qumështit përfshin mbi 20 mijë fermerë dhe prodhon mbi 300 mijë litra qumësht në ditë. Bojkoti ndaj këtij sektori konsiderohet si goditje e rëndë ndaj ekonomisë vendore dhe mirëqenies së mijëra familjeve.

Shoqata shpreh zhgënjimin e thellë për kushtet aktuale, të cilat, siç thuhet në reagim, janë më të pafavorshme për prodhuesit vendorë sesa në vitet pas luftës, duke theksuar se sot, më shumë se kurrë, nevojitet përkrahje institucionale dhe jo mesazhe përçarëse.

Në fund, SHIQK u bën thirrje drejtuesve të Lëvizjes VETËVENDOSJE të distancohen nga deklaratat e Alim Ramës dhe të marrin masa konkrete për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të sektorit vendor të prodhimit.

“Qëndrime të tilla nxisin urrejtje dhe janë në kundërshtim me interesin kombëtar dhe ekonomik të Kosovës”, përfundon reagimi.