Shoferi i Tesla Model 3 pretendon se sikur ta kishte aktivizuar autopilotin nuk do të përfshihej në atë aksident
Ishte duke lëvizur me 72 kilometra në orë, kur humbi kontrollin mbi timonin, sepse po lexonte një mesazh në telefon.
Auto & Tek
Tesla Autopilot është lavdëruar, por edhe kritikuar pothuajse në masë të njëjtë, pasi mund të ndalojë në momentin e duhur, por edhe ka shkaktuar shumë aksidente kontroverse të cilat shoferi mund t’i shmangte.
Derisa jemi shumë vite larg vozitjes tërësisht autonome të veturës, versioni i tanishëm po konsiderohet mjaft efikas, megjithëse shoferi duhet t’i mbaj sytë në rrugë dhe të mos merret me ndonjë aktivitet tjetër.
Martin Grefte nga Bergen i Norvegjisë, është shoferi që pretendon se sikur ta kishte aktivizuar autopilotin e Tesla Model 3, nuk do të përfshihej në një aksident, që ia dëmtoi rëndë veturën, transmeton Telegrafi.
“Sa po më erdhi një mesazh nga motra, se do të testohej për koronavirus. Mendja ime ishte te ajo dhe jo të rruga, që ishte e boshatisur dhe unë vozisja me vetëm 72 kilometra në orë”, ka shkruar Grefte në Twitter.
Dalja nga rruga dhe përplasja për një trung, i ka shkaktuar dëme të mëdha Model 3, ndërsa shoferi ka shpëtuar i palënduar dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë.