Shërbimet sekrete serbe tentojnë njollosjen e flamurit kombëtar në Bujanoc? /VIDEO

​Flamuri shqiptarë i vendosur një natë para festes së flamurit kombëtar – 28 nëntorit - në selinë e një partie politike në Bujanoc është provuar të hiqet nga disa persona, duke e dëmtuar atë, në orët e pasmesnatës. E gjitha ngjarja është incizuar nga kamerat e sigurisë të vendosura përballë “Alternativës për Ndryshim”.

Lajme

29/11/2017 15:02

Pamjet janë publikuar në faqen e kësaj partie shqiptare në Bujanoc, dhe pretendohet se personat që kanë provuar ta largojnë flamurin kuq e zi janë pjesëtarë të shërbimeve serbe.

“Alternativa për Ndryshim në Bujanoc, njofton opinionin e gjërë se natën midis 27 dhe 28 nëntorit, pjesëtarë të shërbimeve serbe kanë tentuar ta njollosin flamurin kombëtar shqiptar i cili valvitej në ndërtesën e selisë së këtij subjekti politik, në qendër të qytetit. Ekspedita e këtyre forcave të errta, në dy tentime të ndara, pasi vëzhgon terrenin, përpiqet që me metodat më primitive të njollos simbolin tonë”, thuhet në kumtesën e APN’së.

Ky subjekt politik shqiptar, thotë se gjykojnë ashpër këtë veprim, sic e quajnë ata, primitiv dhe klandestin të pjesëtarëve të forcave serbe të sigurisë dhe kërkon që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe faktorët tjerë shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë.

“APN kërkon edhe sqarim zyrtar të organeve serbe, se veprimet e tilla të ndërmarra pas mesit të natës a përkojnë me urdhëra të ndonjë institucioni dhe për çfarë qëllimesh mund të shërbejnë ato?!”, thuhet në reagim.

Ndryshe, përdorimi i flamujve të tjerë, përveç atij shtetëror, në Serbi është i ndalur me ligj.