Shala: Rritja e importit të energjisë, kosto që po bie mbi qytetarët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e importit të energjisë dhe ndikimin që kjo ka në buxhetin e qytetarëve. Sipas Shalës, shpenzimet për import të energjisë kanë shënuar rritje të ndjeshme që nga viti 2019, duke arritur mbi 168 milionë euro në vitin 2024. Ai thekson…

Lajme

16/11/2025 15:14

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e importit të energjisë dhe ndikimin që kjo ka në buxhetin e qytetarëve.

Sipas Shalës, shpenzimet për import të energjisë kanë shënuar rritje të ndjeshme që nga viti 2019, duke arritur mbi 168 milionë euro në vitin 2024. Ai thekson se krahas kostos është rritur edhe sasia e energjisë së importuar, nga 890 mijë MWh në më shumë se 1.3 milionë MWh, transmeton lajmi.net.

“Këto shifra nuk janë rastësi. Ato janë pasojë e performancës së dobët të prodhimit vendor, veçanërisht të termocentraleve të KEK-ut, të cilat përballen vazhdimisht me rënie të njësive, riparime të zgjatura dhe efikasitet të ulët”, ka deklaruar Shala.

Ai thekson se kriza energjetike në vend është krijuar nga keqqeverisja aktuale dhe kërkon masa urgjente për përmirësimin e situatës.

Postimi i plotë: 

Rritja e importit të energjisë, kosto që po bie mbi qytetarët
Nga viti 2019 deri në vitin 2025, Kosova ka parë një rritje të madhe të varësisë nga importi i energjisë elektrike. Shpenzimet për import janë rritur nga rreth 50 milionë euro në vitin 2019, në mbi 168 milionë euro në vitin 2024.
Po ashtu, edhe sasia e energjisë së importuar është rritur dukshëm: nga 890 mijë MWh në vitin 2019 në mbi 1.3 milionë MWh në vitin 2024.
Këto shifra nuk janë rastësi. Ato janë pasojë e performancës së dobët të prodhimit vendor, sidomos të termocentraleve të KEK-ut, të cilat vazhdimisht përballen me rënie të njësive, riparime të stërzgjatura dhe efikasitet të ulët.
Çdo mungesë në prodhim duhet mbuluar me import, shpesh me çmime të larta, duke krijuar hapësirë për përfitime të ndërmjetësve dhe tregtarëve.
Në fund, barrën e paguajnë qytetarët, përmes rritjes së tarifave të aprovuara nga ZRRE. Një situatë e tillë nuk ndodh pa koordinim institucional, me Qeverinë e Republikës së Kosovës si përgjegjëse direkte.
Kjo krizë e krijuar nga keqqeverisja aktuale e bën më të domosdoshme se kurrë:
– Investime të qëndrueshme në kapacitete të reja prodhuese
– Përmirësim të menaxhimit dhe llogaridhënies në KEK
– Zbatim të plotë të detyrimeve ligjore në planifikimin energjetik
Sepse siguria energjetike është themeli i stabilitetit ekonomik.
Sa më shpejt të largohet nga pushteti ky mentalitet që bllokon zhvillimin e projekteve të reja, aq më shpejt qytetarët do të kenë furnizim të qëndrueshëm, siguri energjetike dhe çmime të përballueshme./lajmi.net/