Në fjalën e tij përfundimtare në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ish-komandanti i UÇK-së, Rexhep Selimi, denoncoi përpjekjet e prokurorisë për të ndryshuar faktet historike dhe për të njollosur luftën çlirimtare të Kosovës.
Selimi citoi dokumente dhe pretendime të prokurorisë, duke theksuar se UÇK dhe shtabi i përgjithshëm kishin një qëllim të vetëm: pavarësinë e Kosovës. Ai tha:
“Shtabi i përgjithshëm kërkonte pavarësinë apo, me tutje, Shtabi i përgjithshëm deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë.”
Ai kritikoi mënyrën se si prokuroria përpiqet të paraqesë mbështetjen për pavarësi si radikalizëm dhe autonominë si diçka moderne:
“Ta paraqesësh mbështetjen për pavarësi si kërkesë radikale dhe autonominë si moderne është sulm jo vetëm ndaj historisë së Kosovës, por edhe ndaj të ardhmes së saj. Përpjekja për ta barazuar UÇK-në me krimet e Serbisë është e padrejtë dhe e papranueshme. Lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtypjen dhe planin kriminal të Serbisë. Të vendosësh në të njëjtin rrafsh rezistencën e popullit të shtypur me projektin e shtypësit është një barazim i pasaktë dhe thellësisht i padrejt”.
Selimi gjithashtu theksoi se përpjekja për të ndryshuar historinë përmes pretendimeve të shtrembëruara është e dëmshme:
“Të përpiqesh të ndërhysh në historinë e Kosovës përmes pretendimeve të shtrembëruara është një përpjekje për të rishkruar historinë. Por historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër jo në një sallë gjyqi”. /Lajmi.net/