Së shpejti UP shpallë konkurs për nivelin e studimeve Master

Fakultetet e Univeristetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë bërë përgatitjet për këto studime si dhe kanë dërguar propozimet e tyre në Senat për numrin e kandidatëve që kanë paraparë të pranojnë në programe të ndryshme.

Lajme

05/10/2014 19:24

Universiteti i Prishtinës, pritet që së shpejti të shpallë konkursin për studimet e nivelit master. Fakultetet kanë bërë përgatitjet për këto studime si dhe kanë dërguar propozimet e tyre në Senat për numrin e kandidatëve që kanë paraparë të pranojnë në programe të ndryshme. Në disa njësi akademike janë akredituar programe të reja të nivelit master.

Këtë vit akademik Fakulteti i Filozofisë do të fillojë me dy programe të reja në nivelin master: Politika Ndërkombëtare dhe Integrime Evropiane në Departamentin e Shkencave Politike dhe një program të nivelit të doktoratës në Departamentin e Sociologjisë.

Dekani i Fakultetit, Bujar Dugolli, tha për Radio Kosovën, se për herë të parë do të fillojë një program në gjuhën angleze për nivelin master në Departamentin e Shkencave Politike.

“Është një program i cili është akredituar në gjuhën angleze, për herë të parë në Universitetin e Prishtinës. Është programi Integrime Evropiane dhe Administratë Publike, program i akredituar tani dhe do të jetë për nivelin master në Fakultetin tonë në departamentin e Shkencave Politike. Ky program do të zhvillohet në bashkëpunim me Salzburgun dhe Pavian të Italisë dhe profesorët do të vijnë nga këto vende.”, thotë  Dugolli.

Në këto programe do të pranohen nga 50 studentë, bëri të ditur Dugolli, duke shtuar se do të mund të studiojnë edhe studentë të huaj. Ndërkohë, Fakulteti i Edukimit do të shpallë konkursin për nivelin master në tri programe, të cilat janë të akredituara. Prodekani i Fakultetit, Zeqir Veselaj, tha për Radio Kosovën, se pritet të akreditohen edhe programe të tjera të reja për nivelin master, që kanë të bëjnë me mësimdhënien lëndore.

“Ky do të jetë hapi më i madh i ngritjes së cilësisë në mësimdhënie lëndore. Presim të bëjmë akreditimin e pesë programeve master me 12 specializime specifike, master 1-vjeçar për mësimdhënie, për studentët që kanë diplomuar me katër vjet. Presim diku nga fillimi i nëntorit vendimin e Agjencisë për Akreditim lidhur me këto programe.”, tha Veselaj.

Ndërkohë, Veselaj bëri të ditur se në programet e akredituara të nivelit master, Mësimdhënie dhe Kurrikula, si dhe në programin Udhëheqja Arsimore, është paraparë që të pranohen nga 30 studentë, ndërsa në programin Pedagogji e Përgjithshme, do të pranohen 40 studentë. Megjithatë, për numrin përfundimtar të kandidatëve që do të pranohen, do të vendosë Senati i Universitetit të Prishtinës, raporton Radio Kosova.