Scott: Të mos fajësohet vetëm Kosova për dialogun me Serbinë
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott ka thënë se si Serbia ashtu edhe Kosova janë fajtore për situatën ku ndodhet aktualisht procesi i dialogut.

Lajme
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Kyle Scott, ka kërkuar që të mos fajësohet vetëm Kosova në lidhje me situatën aktuale që ndodhet dialogu, shkruan lajmi.net.
Siç shkruajnë mediet serbe, ambasadori Scott dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, kanë rënë dakord se situata në lidhje me Kosovën është shumë e komplikuar dhe e vështirë.
Ambasadori Scott tha se për sa i përket Kosovës, nuk është zgjidhje vetëm fajësimi i njërës palë, por që sipas tij, e vetmja zgjidhje është rikthimi i dialogut në tavolinë.
Por, ministri serb, Stefanoviq, ka thënë se Serbia është pajtuar që çdo zgjidhje duhet të miratohet në mënyrë paqësore, por që siç u shpreh ai, janë autoritetet e Prishtinës ato që nuk tregojnë dëshira për të arritur një kompromis.
“Mendoj se nuk është e zgjidhje fajësimi i njërës palë. Ka shumë faj nga të gjitha palët, por zgjidhja nuk është të fajësojë anën tjetër, por të kthehet në tryezën e negociatave”, tha Scott në një konferencë shtypi, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, është e nevojshme që dialogu ti kthehet normalitetit seriozisht në mënyrë që të zgjidhet çështja me Kosovën dhe të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme.
“Ky është qëllimi i SHBA-ve dhe BE-së dhe ne i inkurajojmë të dyja palët që të ndërmarrin hapa dhe të vazhdojnë në këtë drejtim”, tha ambasadori i SHBA, duke shtuar se pret që qeveria e Kosovës, me mbështetjen e autoriteteve serbe, të zbulojë vrasësit e një prej udhëheqësit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Në anën tjetër, siç raportojnë mediet serbe, në këtë konferencë ministri serb Stefanoviq i ka thënë ambasadorit Scott se ai nuk dëshiron të hyjë me të në polemika për këtë, sepse ai beson se, pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme që kanë SHBA-të dhe Serbia për Kosovën, çështja e stabilitetit, sigurisë dhe jetës normale është e njëjtë.
“Serbia nganjëherë kërkon të thotë se nëse po përpiqemi dhe bëjmë, dhe pala tjetër është lënduar nga çdo përpjekje, është e qartë se kjo është thënë qartë. Një letër e dërguar nga Shtetet e Bashkuara për shfuqizimin e taksës ishte e dobishme, por pas kësaj, një fushatë më e fortë ishte e nevojshme, dhe si BE dhe SHBA për ta zbatuar atë”, tha Stefanoviq.
Ai shtoi se Beogradi pajtohet që çdo zgjidhje duhet të miratohet në mënyrë paqësore dhe në bashkëpunim, por problemi sipas tij, është se shumë herë është thirrur nga të dyja palët që të bëjnë gjithçka për të normalizuar, edhe pse siç u shpreh ai, Prishtina është ajo që e pengon procesin.
“Ne nuk i vendosëm taksë askujt. Për pesë vjet, autoritetet e Prishtinës nuk kanë zbatuar asnjë marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel dhe për fat të keq, përveç gjithçkaje të bërë nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria, dhe përveç gjetjes së zgjidhjeve, autoritetet e Prishtinës nuk tregojnë asnjë dëshirë për të bërë asnjë kompromis, as një hap përpara”, citohet të ketë thënë Stefanoviq.
Ai po ashtu shtoi se nëse Kosova mendon se do të arrihet një marrëveshje në të cilën Serbia do të detyrohet për gjithçka, kjo nuk do të ndodhë.
“Nëse ky është një kompromis, ne nuk jemi të gatshëm ta bëjmë”, tha Stefanoviq duke shtuar se pret që Shtetet e Bashkuara të bëjnë më shumë përpjekje sesa ato të autoriteteve të Prishtinës.
“Unë nuk pres shumë prej tyre, mendoj se ata janë të përqendruar në problemet e tyre të brendshme dhe kanë mbetur në të kaluarën, se nuk kanë asnjë kapacitet për të bërë ndonjë gjë të mirë për serbët apo shqiptarët”, tha Stefanoviq në këtë konferencë, transmeton më tutje lajmi.net.
Duke komentuar situatën aktuale në Kosovë, Beogradi është gati për bisedime, por që sipas Stefanoviqit, janë autoritetet e Prishtinës ato që nuk po tregojnë dëshirë për dialog.
“Vendosja e taksës ndaj Serbisë, arrestimi i Marko Gjuriqit, e gjithë kjo thotë se askush në Prishtinë nuk është i pjekur për dialog dhe nuk janë të gatshëm të udhëheqin as kosovarët e as serbët”, theksoi Stefanoviq.
Ai thotë se as kosovarët e as serbët nuk do të përfitojnë shumë nga autoritetet e tilla, por do të kenë vetëm një autoritet që i shtyn ata në një lloj eskalimi dhe konflikti.
“Unë e di se ata nuk e pëlqejnë faktin se serbët në veri të Kosovës jetojnë, por nuk u japin atyre të drejtën për t’i dëbuar”, tha ministri.
Sipas tij, një hetim për vrasjen e Oliver Ivanoviq, krime të tjera dhe një hetim mbi arrestimin e Marko Gjuriqit dhe të gjitha hetimet tjera që do të ndodheshin, fatkeqësisht nuk u zhvilluan dhe askush nuk ishte përgjegjës për këtë. /Lajmi.net/