Sali Berisha: Nesër kthehen kryelart heronjtë e Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka reaguar për vendimin që pritet të shpallet nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të luftës çlirimtare. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha e ka cilësuar ditën e vendimit si “të veçantë”, ndërsa ka shprehur bindjen se ndaj ish-udhëheqësve UÇK-së duhet të ketë pafajësi. “Për…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka reaguar për vendimin që pritet të shpallet nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të luftës çlirimtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha e ka cilësuar ditën e vendimit si “të veçantë”, ndërsa ka shprehur bindjen se ndaj ish-udhëheqësve UÇK-së duhet të ketë pafajësi.
“Për çdo shqiptar, për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës mund të ketë vetëm një vendim: pafajësinë dhe vetëm pafajësinë e tyre”, shkruan Berisha.
Ai thotë se gjatë procesit gjyqësor nuk është bërë publike, sipas tij, “asnjë provë e vetme” që mbështet akuzat ndaj të pandehurve.
Berisha u ka uruar ish-udhëheqësve politikë të Kosovës që të kthehen “të pafajshëm siç janë, kryelartë, heronj të çlirimit të Kosovës”.
Në pjesën tjetër të reagimit, kreu i PD-së ka kundërshtuar çdo kërcënim ndaj Kosovës në rast të një vendimi të pafavorshëm për ish-krerët e UÇK-së.
“Kërcënimet që i bëhen Kosovës, rendit, paqes dhe sigurisë së saj në rast të një vendimi ndryshe nga Gjykata e Hagës, janë absolutisht të papranueshme, absurde dhe të dënueshme”, shprehet Berisha.
Ai ka shtuar se, sipas tij, Kosova nuk duhet të mbajë asnjë përgjegjësi për pasojat e një vendimi gjyqësor që ai e konsideron të padrejtë.