Rubin dëshmon në Speciale: Nuk arritëm të vërtetonim akuzat për UÇK-në, donim të punonim me Thaçin

Ish-ndihmësi i sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, po vazhdon dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, si dëshmitar i ftuar nga ekipi i mbrojtjes së Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i UÇK-së. Rubin u pyet nga ekipi i Prokurorisë rreth pretendimeve se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përfshirë në veprimtari kriminale…

Lajme

16/09/2025 10:29

Ish-ndihmësi i sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, po vazhdon dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, si dëshmitar i ftuar nga ekipi i mbrojtjes së Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i UÇK-së.

Rubin u pyet nga ekipi i Prokurorisë rreth pretendimeve se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përfshirë në veprimtari kriminale dhe vrasje. Në përgjigjen e tij, ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kishin shqyrtuar këto akuza, por nuk kishin arritur t’i vërtetonin, raporton lajmi.net

“Ka patur pretendime dhe akuza për një vit, ne shikuam ato nuk arritëm t’i vërtetonim. Mendoj që po ata ishin një forcë qe duhej të merreshin parasysh dhe në konsideratë në terren dhe ne donim të krijonim një Kosovë më afatgjate, të kishim shkëmbime dhe të punonim me z. Thaçi”, deklaroi Rubin.

Në vijim, prokurori i çështjes e pyeti nëse është e saktë që në vitet 1998 dhe 1999 mediat ndërkombëtare dhe organizatat tjera kishin publikuar raporte me pretendime të besueshme për krimet e kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.

Rubin iu përgjigj shkurt: “Po.”

Më tej, prokurori iu referua një dokumentari të transmetuar nga BBC, duke e pyetur Rubin nëse aty ai kishte pranuar që anëtarë të UÇK-së kishin vrarë civilë serbë me gjakftohtësi. Në përgjigje, Rubin deklaroi:

“Më kujtohet se i dënuam veprimtaritë e UÇK-së në fazën fillestare, pasi po vriteshin civilë dhe jo ushtarë, prandaj dhe ne i dënuam këto veprimtari terroriste të UÇK-së, por me kalimin e viteve njohëm më mirë organizatën”, u shpreh Rubin

Dëshmia e Rubin është pjesë e një serie dëgjimesh ku mbrojtja e Thaçit po paraqet dëshmitarë për të kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve të tjerë./Lajmi.net/