RrGK alarmon pas vrasjes së 80-vjeçares në Prizren: Gratë po vazhdojnë të vriten në hapësirat ku duhet të jenë më të sigurta
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin, ku një grua 80-vjeçare dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj 81-vjeçar. Rasti ka nxitur reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), i cili ka shprehur shqetësim të thellë për dhunën ndaj grave, duke theksuar se brenda pak ditësh dy gra dyshohet se janë vrarë nga…
Lajme
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin, ku një grua 80-vjeçare dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj 81-vjeçar.
Rasti ka nxitur reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), i cili ka shprehur shqetësim të thellë për dhunën ndaj grave, duke theksuar se brenda pak ditësh dy gra dyshohet se janë vrarë nga partnerët e tyre në shtëpitë e tyre.
“Gratë po vazhdojnë të vriten në hapësirat ku duhet të jenë më të sigurta”, thuhet në reagimin e RrGK-së.
RrGK ka theksuar se dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet si çështje private apo si “rast familjar”, por si një problem që kërkon reagim të fuqishëm institucional.
“Dhuna ndaj grave nuk është çështje private dhe as një varg ‘rastesh familjare’. Ajo është dhunë e rrënjosur në pabarazinë gjinore dhe kërkon përgjigje të fuqishme institucionale. Jeta e grave nuk mund të mbrohet vetëm pasi të humbet”, thuhet në reagim.
Organizata u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin hapa konkretë, urgjentë dhe të koordinuar për parandalimin e dhunës ndaj grave, mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e sigurisë së tyre.
“Hetimet duhet të jenë të plota, të pavarura dhe të shpejta, ndërsa përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë”, thuhet më tej.
RrGK ka bërë të ditur se do ta përcjellë me vëmendje rastin dhe zhvillimet institucionale lidhur me të.
Në fund, organizata ka rikujtuar se ofron këshillim ligjor falas për viktimat e dhunës me bazë gjinore në numrin 048 105 800. /Lajmi.net/