“Burri vrau gruan e tij duke ushtruar dhunë fizike” – Prokuroria jep detaje për vrasjen e rëndë në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen në Prizren. Siç ka njoftuar Prokuroria, sot menjëherë pas mesnate ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë. “Pas pranimit të informatës, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë…

Lajme

26/08/2026 13:50

Prokuroria Themelore në Prizren, ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen në Prizren.

Siç ka njoftuar Prokuroria, sot menjëherë pas mesnate ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë.

“Pas pranimit të informatës, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, ka njoftuar Prokuroria. 

Sipas Prokurorisë, i dyshuari B.D ka privuar nga jeta gruan e tij, duke ushtruar dhunë fizike dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes.

“Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje”, ka njoftuar Prokuroria. /Lajmi.net/