Rreth 65 punëtorë të Lotarisë së Kosovës pa paga që nga muaji maj

Që nga muaji maj i këtij viti, kur edhe u shfuqizua vendimi për Lojërat e Fatit, rreth 65 punëtorë të Lotarisë së Kosovës kanë mbetur pa paga.

Lajme

11/09/2019 20:31

Pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i ku janë përfshirë edhe lojërat e lotarisë, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj.

Ky vendim ka lënë pa paga rreth 65 punëtor të kësaj lotarie krejt kjo për shkak të mungesës së paqartësisë ligjore.

Të paktën deri në formimin e Qeverisë së re, nuk pritet hartimi i ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë.

Ismet Uka, anëtar i sindikatës së Lotarisë së Kosovës ka thënë për lajmi.net, se rreth 65 punëtorë të kësaj lotari kanë mbetur pa paga që nga muaji maj i këtij viti.

Ai ka thënë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, mirëpo pas rënies së Qeverisë gjendja ka mbetur e pa qartë.

“Me 8 maj ka hyrë fuqi ligji, nga maji ne e kemi mbyllur veprimtarin tonë, nuk kemi pasur aktivitet as paga. Kemi bërë kërkesë edhe në Qeverinë e Kosovës, para dorëheqjes së kryeministrit, edhe në Ministrin e Financave e kam dorëzuar raportin e shpenzimeve që i kemi pasur, për lokale edhe të pagave. Dhe më pas ndodhi dorëheqja e qeverisë dhe nuk dim a kanë të drejt me marr vendim apo jo dhe pastaj që u dërgua në Kushtetuese se a ka të drejt qeveria të marr vendime apo jo, edhe ajo doli që nuk është. Kështu që tash kemi mbetur deri sa të formohet qeveria e re. Jemi në një situate të vështir, 65 punëtor. Tani nuk po kemi se kujt t’i drejtohemi me kërkesa tjetra. Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, kur ka dhënë dorëheqje kryeministri, një nder pikat ka qenë edhe vendimi që të autorizohet Ministria  e Financave për aktivitetin sipas ligjit, është formuar komisioni është formuar ekip, mirëpo ai ligj tash edhe nëse bëhet, bëhet pas formimit të Kuvendi dhe Qeverisë”, ka thënë Uka.

Ndërsa, ministri në detyrë, i ministrisë së Financave, Bedri Hamza ka thënë për lajmi.net se kjo çështje nuk është në dorën e tyre për shkak se tani është një situatë e paqartë juridike.

Hamza ka thënë se presin që të krijohen institucionet e reja për të adresuar këtë çështje.

“Ju e dini që Qeveria ligjin e ka proceduar që të mbyllen lojërat e fatit duke përjashtuar Lotarinë e Kosovës, në Kuvend është vendosur që të mbyllën të gjitha lojërat e fatit duke përfshirë edhe Lotarinë e Kosovës. Është bërë vendimi në qeveri për me fillu koncept dokumenti për Lotarinë  e Kosovës, është ra qeveri dhe ligji nuk ka mundur të ec tutje. Tani është një situatë e pa qartë juridike, dhe ne presim që të shtohen institucionet e reja dhe të adresohet kjo çështje. Kjo nuk është përgjegjësi e jona, është çështja që ne pa ligj nuk mund ta adresojmë këtë çështje”, ka thënë Hamza.

Kujtojmë se në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, Ministria e Financave kishte propozuar fillimin e procedurave për zgjidhjen e statusit të Lotarisë së Kosovës, për çka kishte marrë aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhje.

Për këtë çështje punëtorët e Lotarisë së Kosovës kishin mbajtur edhe protesta para Qeverisë së Kosovës, me kërkesën që të mbahet premtimi nga institucionet për miratimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës.

Kërkesat e tyre ishin që inicimi sa më i shpejtë i Ligjit për Lotarinë e Kosovës, marrja përsipër e Qeverisë të pagave të punëtorëve të Lotarisë, si dhe mbulimi i shpenzimeve, të cilat i ka Lotaria e Kosovës ndaj qiradhënësve, lokaleve me qira dhe kontratave ndërkombëtare që i kemi.

Lajmi.net po ashtu gjatë ditës së djeshme ka raportuar se Shoqata e Kompanive të lojërave të fatit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin që ndalon lojërat e fatit. /Lajmi.net/

LEXO EDHE:

Ligji për Lojërat e Fatit dërgohet në Gjykatën Kushtetuese