Ligji për Lojërat e Fatit dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Ligji që ndalon lojërat e fatit, i cili u miratua në mars të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Lajme

10/09/2019 19:27

Lajmi.net mëson së Shoqata e Kompanive të lojërave të fatit e ka dërguar këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese.

E kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga kushtetuesja.

Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net, nga Gjykata Kushtetuese thonë se kanë pranuar një kërkesë nga një ndërmarrje private që konteston ligjin për lojërat e fatit, më 28 gusht të këtij viti.

Ndërsa ende nuk dihet se kur do të merret vendimi për këtë Ligj.

“Gjykata ka pranuar një kërkesë nga një ndërmarrje private që konteston Ligjin për lojërat e fatit, më 28 gusht 2019. Gjykata nuk ka afat të vendimmarrjes në këtë rast. Vendimi do të merret në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses për lajmi.net.

Shoqata e Kompanive të Lojërave të Fatit, po ashtu kishte kërkuar nga presidenti që mos dekretojë këtë ligj, me arsyetimin se rreth 4 mijë persona do të mbesin pa punë pas mbylljes së lojërave të fatit.

Ligji për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet, ka hyrë në fuqi në muajin maj të këtij viti.

Ky ligj ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës, kurse u miratua në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me 28 mars të këtij viti.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit është marrë, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona.

Policia e Kosovës, e mbështetur edhe nga Dogana e Kosovës dhe institucione të tjera ka mbyllur nëpër Kosovë të gjitha lokalet e lojërave të fatit dhe ka konfiskuar shumë aparaturë që ka shërbyer për këtë aktivitet. /Lajmi.net/