“Ronaldo brazilian më i mirë sesa Ronaldo portugez”

Ronaldo Nazario dhe Cristiano Ronaldo janë dy Ronaldot që kanë shkruar histori në futboll.

Sport

20/04/2020 15:50

Fenomeni Ronaldo (braziliani), bënte një karrierë të madhe me skuadra si Barcelona, Real Madrid, Inter e Milan, por dëmtimet ia pamundësuan atij që të kishte një karrierë të gjatë.

Për aq sa luajti, Ronaldo fitoi edhe Kupën e Botës me Brazilin, por, nuk ishte në majat e futbollit për aq sa është Cristiano Ronaldo. Braziliani fitoi 2 Topa të Artë në karrierën e tij (1997 dhe 2002).

Portugezi ka fituar Kampionatin Evropian me Portugalinë, si dhe është stolisur  me pesë Liga të Kampionëve. Gjithashtu, në sirtarin individual, Ronaldo ka edhe pesë Topa të Artë.

Por, Christian Vieri beson se fenomeni përsëri duhet ranguar më lartë sesa portugezi.

“Unë jam një shok i Ronnie dhe isha me fat që kisha atë si sulmues me mua. Ai i kishte të gjitha. Ai ishte dinamik, i fortë, i shpejtë. Ai dukej si valltar, dukej sikur vallëzonte me topin”, ka thënë Vieri, transmeton lajmi.net.

“Unë them se Ronaldo braziliani është më i mirë sesa Cristiano Ronaldo”, shtoi ai.

“CR7 është si një makinë lufte, i admirueshëm për gjithçka që bën dhe për të gjitha gjërat që vazhdon t’i bëjë. Cristiano mund të luajë deri në 40 vite, me një cigare në gojë, siç thonë në Itali”, ka thënë ndër të tjerash Vieri, në krahasimin mes dy Ronaldove.

Debatet e tilla janë të shumta në botën e futbollit. Konsistenca e CR7 është e pakrahasueshme me atë të fenomenit, por në ditet e tij më të mira, braziliani ishte në nivele tejet të larta. /Lajmi.net/