Rikthehet Ardian Kozniku: Flet për gjasat e Kosovës, vlerësimin për yjet e kombëtares e deri tek e ardhmja e tij te “Dardanët”
Ardian Kozniku, ish-futbollisti i mirënjohur shqiptar gjatë një interviste të gjatë dhënë për lajmi.net, ka folur rreth gjasave të Kombëtares së Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro2024”, vlerësimin që i ka bërë yjeve të “Dardanëve”, dëshirën për të drejtuar Kosovën të ardhmen e deri te gjendja e rëndë që po kalon ish-skuadra e tij…
Sport
Ardian Kozniku, ish-futbollisti i mirënjohur shqiptar gjatë një interviste të gjatë dhënë për lajmi.net, ka folur rreth gjasave të Kombëtares së Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro2024”, vlerësimin që i ka bërë yjeve të “Dardanëve”, dëshirën për të drejtuar Kosovën të ardhmen e deri te gjendja e rëndë që po kalon ish-skuadra e tij e parë në Kosovë, Vëllaznimi.
Kosova e nis ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024” me dy ndeshje në muajin mars kundër Izraelit në udhëtim dhe Andorrës në shtëpi.
Kozniku e nisi intervistën e tij duke vlerësuar në maksimum potencialin e futbollistëve që bartin fanellën e reprezentacionit të Kosovës.
Ai ka bërë edhe një thirrje që të ftohen në kombëtare sa më shumë futbollistët që luajnë në ligën e Kosovës.
“Sa i përket ekipit. Çfarë lojtarë ka Kosova, ata çdo vit po bëhen më të mirë. Nga portieri, kapiteni Amir Rrahmani që e njoh shumë mirë që është formuar në Kosovë ka vazhduar në Shqipëri, është zhvilluar në Kroaci, e tash po shkëlqen në Itali. Është kapiten tamam si i ka hije një reprezentacioni. Është në anën tjetër Vedat Muriqi, Zeneli e shumë të tjerë janë një gjeneratë e pjekur që janë me përvojë. Shansa është fantastike. Shanset i patën vite më parë në Ligën e Kombeve e dimë ndeshjen me Maqedoninë e Veriut. Por ky është futbolli. Kosova ka një ekip fantastik. Ka lojtarë edhe të ligës së Kosovës që po zhvillohet mirë e më mirë. Me vite kam bërë thirrje që duhet të ftohen futbollistët që luajnë në ligën e Kosovës”, deklaroi fillimisht Ardian Kozniku për lajmi.net.
“Kundërshtarët nuk duhet të nënçmohen”
Ish-futbollisti dhe trajneri shqiptar komentoi edhe grupin e Kosovës. Ai tha se rivalët nuk duhet nënçmuar dhe se ekipi kosovar duhet të ketë edhe pak fat në përballjet.
“Kosova është në një grup me Zvicrën. Zvicra dihet se ka ekip shumë të mirë. Aty ka një numër të madh të shqiptarëve, duke nis nga Xhaka dhe Shaqiri. Janë ekip me përvojë të madhe. Edhe ekipet e tjera në grup nuk duhet të nënçmohen. Kosova duhet të udhëhiqet dhe të ketë pak fat”, theksoi ai.
“Vedat Muriqi më pëlqen, golat e tij e kanë çuar Kosovën lartë në ranglistë”
55-vjeçari ka vlerësuar edhe disa prej yjeve të Kombëtares kosovare, duke përmendur me theks të veçantë sulmuesin që po kalon formë të lartë, Vedat Muriqin.
Sipas tij, Kosova falë golave të Muriqit është ngritur lartë në ranglistën botërore.
“Unë e shoh Kosovën si ekip. Por në aspektin individual më pëlqen Muriqi. Ai ka shënuar më së shumti gola dhe që i bjen gëzimet më së shumti ekipit. Besoj se pajtohen të gjithë me këtë. Gjithë ekipi e jep maksimumin natyrisht. Por jo vetëm Muriqi, janë lojtarë fantastik dhe me përvojë edhe Zeneli, Rrahmani, Berisha e portieri Muriqi. Vedat Muriqi e ka mbajtur Kosovën shumë lart në ranglist me golat e tij. Është edhe Lirim Kastrati që ka luajtur më pak, por është futbollist që e njoh shumë mirë për faktin se ka potencial fantastik”, vazhdoi Kozniku për lajmi.net.
Kozniku nuk e la pa e përmendur edhe kapitenin Amir Rrahmanin, për të cilin tha se nuk ka parë futbollist si ai.
Nuk hezitoi të fliste edhe për Mirlind Dakun e Arbër Hoxhën.
“Për momentin futbollist si Amir Rrahmani nuk kam parë. Në Kroaci luan edhe Arbër Hoxha. Ai po luan shumë mirë. Për mendimin tim edhe Mirlind Daku ka shkëlqyer edhe në Kosovë edhe në Osijek. Në Osijek ndoshta nuk e pati montazhin e duhur por tani i huazuar në Slloveni po shkëlqen”, pohoi Kozniku më tej.
“Nuk e refuzojë Kosovën, por e kanë trajnerin dhe duhet respektuar”
Lajmi.net e pyeti Koznikun nëse të ardhmen e sheh veten përzgjedhës të Kosovës.
Ai nuk e fshehu dëshirën, megjithëse shtoi se për momentin Kosova ka një trajner dhe se e respekton atë.
Kozniku gjatë fjalëve të tij përmendi kohën e vështirë kur pranoi të luante për Kosovën, në kohën e regjimit serb.
“Për Kosovën nëse them se unë nuk e shoh veten të gatshëm është e pamundur. Unë i gatshëm kam qenë dhe jam gjithherë. Unë e kam thënë këtë shumë herët. Unë jam prodhim i Kosovës, Gjakovës, Vëllaznimit dhe Prishtinës. Kur kam shkuar te Hajduku i Splitit, në kohën e ish-Jugosllavisë, pas një ose dy vite, m’u ka bërë ftesa për me shku në reprezentacion të Kosovës në një ndeshjen miqësore, në kohën kur në Kosovë nuk është luajtur futboll për shkak të regjimit serb. Atëherë reprezentacioni i Kosovës u formua nga lojtarët që kanë luajtur në ‘livadhe’. Kjo është për mburrje, pasi nuk e kemi lënë futbollin kosovar të shuhet. Kur ma bën ftesën trajneri i parë i Kosovës, Ajet Shosholli, kam qenë lojtar i Hajdukut dhe reprezentacionit të Kroacisë, por kam shkuar në Shqipëri të luaj për Kosovën. Unë jam i gatshëm që kur është kërkuar trajneri me lincenc të UEFA-s. Ndoshta nuk nevojitet të përmendet, por jam ndër të parë që kam licencën UEFA-Pro të trajnerit nga viti 2004. Nëse tani më kërkojnë ta marrë drejtimin e Kosovës, unë nuk them se jo, por ata kanë trajner, duhet pasur respekt. Asnjëherë Kosovës nuk ia kam kthyer shpinën. Kosovës i dëshiroj kualifikim sa më të shpejt”, tha ai.
Për fund, Ardian Kozniku foli edhe për gjendjen e rëndë që po kalon KF Vëllaznimi, skuadra e tij e parë në karrierë.
“Mua më vjen gjynah. Jo mua, por gjithë ata simpatizantë në Gjakovë që e duan Vëllaznimin por edhe neve që jemi rritur me klubin, pasi nga prindërit tanë e deri te ne kemi qenë pjesë e klubit. Më dhemb kur e shoh kështu Vëllaznimin. Gjitha ekipet i respektojë. Prishtinën dhe Vëllaznimin dua t’i shoh sa më lartë. Te Vëllaznimi jam formuar si lojtar pastaj jam transferuar te Prishtina. Te Prishtina kam luajtur dy vite. Me ta kam luajtur në kohën më të vështirë gjatë regjimit serb. Me Prishtinën kam vite fantastike. Unë me tifozët e Vëllaznimit dhe “Plisat” e Prishtinës kam raporte të shkëlqyera. I kam në zemër gjithë jetën. Nuk i harrojë kurrë. As ata nuk më kanë harruar mua”, nënvizoi për fund ish-futbollisti legjendar shqiptar, Ardian Kozniku.
Gjakovari Kozniku e ka nisur karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës në vitin 1979. Krahas Kroacisë, karrierë ka bërë edhe në Francë, Qipro e Austri.
55-vjeçari ka punuar edhe në grupmoshat e reja të Kombëtares kroate.
Kozniku si trajner ka punuar edhe të Shkëndija e Tetovës në edicionin 2014-15./Lajmi.net/