Rektori refuzon dorëheqjen: Pagova 80 euro për botimin e punimit

Rektori Ibrahim Gashi thotë se nuk do të jap dorëheqje pasi ajo po kërkohet nga një grup i vogël i studentëve. Nëse një kërkesë e tillë do të bëhej nga instanca të larta të Universitetit, ai do të mendohej më seriozisht. Thotë se protestat s'janë studentore.

Lajme

04/02/2014 08:04

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, protestën e studentëve që po zhvillohet para vendit të tij të punës, duke kërkuar dorëheqjen e tij, nuk e sheh si protestë studentore.

“Kjo nuk është protestë studentore. Është një grup i vogël që po proteston. Nga informacionet që kemi, ka rezultuar se një pjesë e tyre nuk janë fare studentë, ka nga shkollat e mesme dhe aktivistë të partive politike”.

“Nga emrat e të arrestuarve ditën e parë, mbi dyzetë për qind e atyre që janë arrestuar nuk janë fare studentë. Ka rezultuar se 80 për qind e tyre janë anëtarë të Vetëvendosjes”.

Në një intervistë për “Epoka e Re”, Rektori Gashi thotë se sikur dorëheqja e tij të kërkohej nga instanca më të larta të universitetit, ai do të reflektonte në këtë vendim. Por, grupi prej 30-50 studentësh, është i “vogël” që ai të gjunjëzohet.

“Universiteti i Prishtinës ka një komunitet prej 50 mijë studentësh pa dashur të nënçmojë në asnjë rrethanë një numër prej 30-50 studentësh, të cilët për një javë rresht kanë protestuar dhe pamundësuar punën e këtij institucioni, konsiderojë se nuk janë kërkesa që përfaqësojnë vullnetin e komunitetit studentor”.

“Gjatë gjithë paraqitjeve të mia kam deklaruar se dorëheqjen nuk e kontestoj si akt moral”.

“Në momentin kur dorëheqja ime do të kërkohej nga instancat vendimmarrësve të universitetit qoftë nga MASHT’i, mbi të gjitha nga komuniteti akademik dhe studentor i cili përfaqësohet nëpërmjet PSUP’së dhe Senatit të UP’së do ta kisha menduar seriozisht.”

“Nuk e kam parë të nevojshme të gjunjëzohem para një kërkese e cila, me gjasë, në fund të ditës do të dal që është agjendë e një partie politike apo e një grupi interesi”.

“Nuk jemi në pikën ku unë duhet të reflektojë dorëheqjen time, pasi përgjegjësia morale si Rektor nuk është atakuar nga komuniteti i madh akademik që ka të drejtë në çdo kohë të kërkojë dorëheqjen, por nuk ka të drejtë një grup i vogël i studentëve”.

Rektori Gashi pret vendimin e këshillit të ngritur për të verifikuar çdo shkelje eventuale. Ai thotë se do t’i bindet çdo vendimi që Këshilli Drejtues dhe Senati marrin.

“Do të pres vlerësimin për punën e këtij menaxhmeti nga mekanizmat dhe komisionet e ngritura nga Këshilli Drejtues dhe nga Senati. Do të njoh çdo vendim që sjellin këta trupa që sjellin në çdo kohë”.

Rektori Ibrahim Gashi ka thënë se ai personalisht nuk i ka publikuar punimet shkencore në revistën indiane. Thotë se s’ka qenë autor i parë, por pranon të ketë paguar një shumë prej 80 eurosh.

“Nuk i kam bërë publikimet. Ato i ka bërë autori i parë. Çdo revistë shkencore ndërkombëtare ka një taksë për të botuar një punim. Unë kam pyetur autorin e parë dhe ai më ka thënë se është paguar taksa prej 80 eurosh”.