Kurti takon presidentin e Bankës Botërore, flasin për ekonomi dhe treg të punës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është takuar me presidentin e Bankës Botërore, Ajay Banga, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet ekonomike në Kosovë, tregun e punës dhe orientimin e remitencave drejt sektorëve produktivë. Kurti ka thënë se…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është takuar me presidentin e Bankës Botërore, Ajay Banga, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet ekonomike në Kosovë, tregun e punës dhe orientimin e remitencave drejt sektorëve produktivë.
Kurti ka thënë se me presidentin e Bankës Botërore ka diskutuar për progresin e Kosovës në vitet e fundit, heqjen nga lista e shteteve të brishta dhe në konflikt, tranzicionin nga marrës në donator të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe rritjen ekonomike.
“Me Presidentin e BB-së diskutuam për progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës në vitet e fundit, heqjen nga lista e shteteve të brishta e në konflikt, tranzicionin nga marrës në donator të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim, dhe rritjen e vazhdueshme ekonomike”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se në mandatin qeverisës në vijim fokusi do të jetë në rritjen më cilësore të vendeve të punës dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve dhe grave në tregun e punës.
“Theksova se për mandatin qeverisës në vijim, pas uljes së papunësisë nga 26% në 10%, fokus do të jetë rritja më cilësore e vendeve të punës e që paguhen më shumë, por edhe rritja e pjesëmarrjes së rinisë dhe grave në tregun e punës”, ka shkruar ai.
Kurti ka përmendur edhe nevojën për orientimin e remitencave dhe kursimeve të mërgatës drejt sektorëve produktivë të ekonomisë.
“Gjithashtu, përmenda nevojën për të orientuar remitencat dhe kursimet e mërgatës sonë drejt sektorëve produktivë në ekonomi”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, ka prezantuar planin për mbështetjen e shteteve anëtare në krijimin e vendeve më cilësore të punës.
“Në anën tjetër, Presidenti Banga prezantoi planin e tij për t’i mbështetur shtetet anëtare në krijimin e vendeve më cilësore të punës përmes fushave si ndërtimtaria, bujqësia produktive, shëndetësia, turizmi dhe prodhimtaria”, ka shkruar Kurti