Realizimi i një ëndrre

Blerand Stavileci e ka shprehur gëzimin e tij për organizimin e fazës finale të Ligës Ballkanike. Presidenti i Sigal Prishtinës thotë se ky është realizimi i një ëndrre.

Sport

25/04/2014 14:53

Blerand Stavileci, president i klubit të basketbollit Sigal Prishtina, e ka postuar një shkrim, në lidhje me ‘Final-Four’, të cilin do të organizojë klubi prishtinas.

Në vazhdim ju ftojmë ta lexoni letrën e Stavilecit, njëherësh ministër i Bujqësisë në Republikën e Kosovës.

“Të dashur miq, Plisa, qytetarë të Prishtinës e të Kosovës, dashamirë të basketbollit dhe të shqiptarëve,

Pas pak orësh nis të finalizohet një nga ato ëndrrat e bukura të gjeneratës sonë. Vendlindja ime dhe kryeqyteti i shtetit tonë do të jetë Kryeqytet i Garës më të rëndësishme Ballkanike në basketboll.

Hiç më larg se para 1 viti ende nuk e dinim se a do të jemi pjesë e kësaj lige, ndërkaq sot jo vetëm që jemi ndër 4 skuadrat më të mira, por edhe organizojmë spektaklin më të madh sportiv të kësaj natyre në Kosovë.

Për këtë do të bindeni sonte të gjithë. E di se nuk do ta kemi lehtë për të fituar ngase këto skuadra kanë buxhet më të madh se ne dhe kanë yje të NBA-së në përbërje, por ne kemi zemrën dhe Plisat.

Zemra jonë dhe Plisat mund ta mposhtim këdo. Pavarësisht epilogut, dua t\’i falënderoj edhe një herë të gjithë ata që kontribuan për ta bërë Prishtinën kjo që është sot, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ.

Unë me shokët e mi, pjesa më e madhe e të cilëve sot po angazhohet vullnetarisht për klubin e zemrës, që nga viti 1990 kemi ëndërruar për natën e sontme.

Kemi shkruar bashkë një pjesë të historisë, do të donim që ta vulosnim, natyrisht nëse kemi pak fat, përveç zemrës dhe Plisave.

Shihemi sonte tek Ethet e së Premtes Historike për Prishtinën tonë!”, ka shkruar Stavileci në rrjetin social, Facebook.