Raportimet për sulm terrorist: KFOR-i shihet në një Qendër Tregtare në Prishtinë, PK-ja thotë se janë në funksion të sigurisë publike

Që dje, në mediat në Kosovë po raportohet se ambasadat kanë lëshuar një e-mail të brendshëm ku kanë paralajmëruar stafin e tyre se një sulm terrorist në Kosovë është i mundur të ndodhë.

Lajme

27/11/2021 22:07

Në ato komunikime, të cilat lajmi.net i ka parë thuhet se bëhet fjalë për një person të vetëm i cili është burimi i rrezikut për një sulm brenda qendrave tregtare, shkruan lajmi.net.

Mundësia e rrezikut theksohet të jetë deri më datë 30 nëntor, ndërsa gjithashtu thuhet se policia e Kosovës e ka nën monitorim të vazhdueshëm të dyshuarin.

Por në këto komunikime të cilat raportohet të jenë të brendshme të ambasadave, thuhet gjithashtu se cak i sulmeve mund të jenë Qendrat Tregtare dhe stafi i ambasadave këshillohet të shmangin frekuentimin e tyre deri më datë 30 nëntor.

Në anën tjetër, lajmi.net ka siguruar një fotografi të orëve të mbrëmjes së sontme nga një Qendër Tregtare në Prishtinë ku shihen forca të misionit të KFOR-it të cilat sipas informacioneve të sigurara kanë qenë të pajisur me armë automatike dhe anti-plumb, derisa kanë patrulluar nëpër hapësirat e kësaj qendre tregtare.

Sipas informacioneve, në orët e mbrëmjes një grup i ushtarëve të KFOR-it (rreth 7-8 persona) kanë zbarkuar në këtë Qendër Tregtare dhe kanë patrulluar, njëlloj patrullim ka pasur edhe sot gjatë orëve të pasditës në të njëjtën Qendër Tregtare.

Lajmi.net lidhur me këto raportime ka kontaktuar me policinë e Kosovës. Pa iu referuar direkt pyetjes konkrete lidhur me këto raportime, policia kanë thënë se: “Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton ç’do informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë.”

Gjithashtu, në këtë përgjigje të policisë së Kosovës thuhet se varësisht nga natyra e informacionit dhe të gjeturave, policia ndërmerr veprimet e saj operacionale në koordinim me organet e drejtësisë – me interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton ç’do informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë. Varësisht nga natyra e informacionit dhe rezultimit të të gjeturave, ndërmerr veprimet e saja operacionale në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend.”, thuhet në përgjigjen e policisë së Kosovës për lajmi.net.

Në anën tjetër, lajmi.net ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme por nuk ka arritur të kontakojë nëpërmjet telefonit. Gjithashtu, raportimet lidhur me këtë rast ende nuk janë konfirmuar direkt nga organet e rendit në Kosovë ose misionet e huaja – të cilave po iu referohen komunikimet që tashmë janë publikuar pjesërisht në media. /Lajmi.net/