Ramadani: LVV po e bllokon Kuvendin dhe institucionet e Kosovës

Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Burim Ramadani, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës. Ai tha se deputetët e opozitës janë të pranishëm në Kuvend, ndërsa deputetët e LVV-së mungojnë. “Edhe sot, sikurse ato ditë, me sincertë po e konstatojmë bllokadën e re të Kuvendit të Kosovës, të shtetit të…

Lajme

30/08/2026 11:51

Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Burim Ramadani, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës.

Ai tha se deputetët e opozitës janë të pranishëm në Kuvend, ndërsa deputetët e LVV-së mungojnë.

“Edhe sot, sikurse ato ditë, me sincertë po e konstatojmë bllokadën e re të Kuvendit të Kosovës, të shtetit të Kosovës. Dhe ata tashmë as nuk po e fshehin që janë bllokuesit. Ata s’po tentojnë as me u arsyetuar pse po e bëjnë bllokadën e Kuvendit edhe të shtetit të Kosovës. Ne jemi këtu në sallën e Kuvendit edhe sot, ata nuk janë. Një pjesë e deputetëve të Vetëvendosjes sot janë në bregdet. Një pjesë e tyre janë duke u marrë me biznes. Një pjesë e tyre janë në kolltuqe qeveritare, kurse një pjesë e tyre nuk guxojnë me dalë nga shtëpia apo rrinë në shtëpi për shkak të kërkesave dhe pyetjeve të qytetarëve që i bëjnë”, tha Ramadani.

Ramadani theksoi se AAK dhe PDK, sipas tij, po kërkojnë funksionalizimin e institucioneve dhe jo përfitime partiake.

“Zonja dhe zotërinj, qytetarë të Kosovës, kjo që po ndodh sot në Kosovë, për ne nuk është betejë partiake. Kjo që po ndodh sot në Kosovë, për ne nuk është as kërkesë partiake, as synim partiak. Kjo që po e bëjmë ne sot së bashku nuk është as për partinë, as për individin, e as për qeverinë. Ne po flasim për shtetin. Këta po flasin e po bëjnë gjithçka veç për pushtetin. Ne po flasim për jetën e qytetarëve, ata veç për poste. Me javë e muaj të tërë po flasin vetëm për poste. E keni dallimin thelbësor mes nesh edhe këtyre: Ne e pranojmë vullnetin e votuesve; Ata po e sakatojnë shpresën e popullit të Kosovës.Për vite me radhë kemi dëgjuar nga Vetëvendosja se janë ndryshe. Por e kanë dëshmuar tash e sa vjet që janë ndryshe, por për së mbrapshti. Sepse të jesh ndryshe nuk është të bllokosh institucionet. Të jesh ndryshe nuk është ta fajësosh gjithmonë tjetrin. Të jesh ndryshe nuk është të përdorësh shumicën për me blloku shtetin. E të jesh ndryshe do të thotë të punosh më shumë e më mirë se të tjerët”, tha ai.

Ai shtoi se qytetarët nuk janë të interesuar për përplasjet politike, por për funksionimin e shtetit.

“Tek e fundit, qytetarët sot nuk pyesin kush e fitoi një përplasje partiake. As nuk pyesin se kush bërtiti më fort. Qytetarët sot pyesin: a po punon shteti ynë? Dhe pas krejt kësaj periudhe bllokade që po vazhdon, një pyetje thelbësore që i shtrohet Vetëvendosjes është shumë e thjeshtë dhe shumë e drejtpërdrejtë: Për kë po e bllokoni Kuvendin edhe shtetin e Kosovës? Për popullin? Jo. Për pushtetin? Po.Madje edhe mbrëmë, edhe këto takimet që po ndodhin, edhe takimin e mbrëmshëm, nuk e thonë asnjë fjalë, asnjëra palë, çka fiton populli i Kosovës prej këtyre takimeve? Cili është përfitimi i popullit të Kosovës që këta po takohen netëve të vona e të vona, sikurse ishte mbrëmë? Krejt çka flasin është për poste. Kush, çfarë posti po i ofron dikujt? Kush kujt po i propozon një emër prapë për një post, jo për përmbajtje, jo për programin çka do të ndodhë me qytetarët e Kosovës”, tha Ramadani.
Në fund, Ramadani tha se qytetarët përballen me pasiguri në fusha të ndryshme dhe se kjo, sipas tij, nuk zgjidhet përmes bllokadës institucionale.

“Sido që të jetë, jashtë mureve të kësaj salle të Kuvendit është një realitet tjetër. Qytetarët e Kosovës sot kanë pasiguri të madhe. E kjo pasiguri nuk zgjidhet me bllokadë. Pasiguri në rrugë, statistikat tregojnë për një situatë jashtëzakonisht të rëndë; Pasiguri në shkollë; Pasiguri në shtet; Pasiguri në treg”, shtoi Ramadani.