Rama sulmon kryepeshkopin serb
Kryeministri i Shqipërisë ka qenë i ashpër me kryepeshkopin serb Irinej. Ai ka thënë se deklaratat e tij në Tiranë për Kosovën, janë turp për një përfaqësues fetar.
Lajme
Gjatë pritjes së rezervuar për kryepeshkopët që morën pjesë në shenjtërimin e katedrales ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, kryeministri Rama e vlerësoi ngjarjen si një ditë të shënuar për Tiranën dhe si një konfirmim i standardeve për harmoninë fetare në Shqipëri.
Por burime nga kryeministria i thanë gazetës TemA se Rama ka qenë i ashpër në vlerësimet e tij për kryepeshkopin Irenej, i cili sipas tij tentoi të prishë paqen dhe harmoninë që solli një ngjarje e tillë.
Rama citohet të ketë thënë në takim se “ju po ikni duke i lënë Tiranës një vepër që i bën nder, kurse kolegu juaj një debat që e bën me turp një përfaqësues fetar”.
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse shqiptare, Janullatos ka shmangur komentet për këtë çështje, por Rama ka këmbëngulur tek përdorimi i rrezikshëm politik dhe etnik i kësaj ngjarjeje nga Irinej.
I ftuar në Tiranë për shenjtërimin e katedrales ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, së bashku me drejtuesit e tjerë më të lartë të fesë ortodokse, Patriarku i Serbisë, Irenej, nuk ngurroi që Kosovën ta quaj pjesë të shenjt të Serbisë.
Duke iu referuar rolit të kishës serbe në marrëdhëniet e shtetit për çështjen e Kosovës, ai theksoi se “krahina e Kosovës është pjesa më e shenjtë për popullin serb”.