Rama: Për PDK-në është e papranueshme të bëhet pazar për Ligjin për Specialen

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrahman Rama, ka folur në një intervistë për Klan Kosovën për takimet mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti. Rama ka thënë se PDK-ja ka pritur që ligji të miratohet edhe në leximin e dytë. “Kanë qenë tri takime. Ne e kemi pritur që të aprovohet…

Lajme

05/10/2026 21:13

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrahman Rama, ka folur në një intervistë për Klan Kosovën për takimet mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti.

Rama ka thënë se PDK-ja ka pritur që ligji të miratohet edhe në leximin e dytë.

“Kanë qenë tri takime. Ne e kemi pritur që të aprovohet ligji dhe ka ardh me iniciativën e Vetëvendosjes dhe të Albin Kurtit në Kuvend, në seancë të jashtëzakonshme, është përfunduar leximi i parë, ne dhe e gjithë Kosovë kemi pritur që ky ligj të aprovohet edhe në leximin e dytë”, deklaroi ai.Ai foli edhe për diskutimet pas miratimit në lexim të parë, duke thënë se në takimin e zhvilluar më pas është diskutuar edhe për çështjen e presidentit.

Deputeti i PDK-së theksoi se Ligji për Dhomat e Specializuara nuk duhet të kushtëzohet me çështje të tjera politike.

“Pas leximit të parë e kemi pasur një takim dhe diskutimi ka qenë njëfarë forme një lloj pazari që ‘ne e aprovuam në leximin e parë, tani duhet presidenti dhe ta votojmë në leximin e dytë’. Unë nuk mendoj që ky ligj është për pazar, po flasim për një ligj që është i rëndësishëm dhe të gjithë qytetarët kanë pritur që sot do të votohet”

“Ne e kemi bërë të qartë se për neve është e rëndësishme dhe është prioritet për Partinë Demokratike që ky ligj të votohet në dy leximet dhe çështja e presidentit të diskutohet. Për neve si PDK është e papranueshme, nuk pranojmë pazar për këtë ligj”, deklaroi ai.