Kurti në Samitin e Planit të Rritjes në Tiranë: Kosova e ka merituar statusin e vendit kandidat në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova e ka merituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke kërkuar që të hapen sa më parë negociatat për anëtarësim. Përmes një postimi në platformën X, Kurti ka njoftuar se ka marrë pjesë në Samitin e 6-të të Planit të Rritjes, i cili…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova e ka merituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke kërkuar që të hapen sa më parë negociatat për anëtarësim.
Përmes një postimi në platformën X, Kurti ka njoftuar se ka marrë pjesë në Samitin e 6-të të Planit të Rritjes, i cili është organizuar në Tiranë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, transmeton lajmi.net.
Samiti është mbajtur dy ditë pas takimit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, ndërsa në të kanë marrë pjesë edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, si dhe përfaqësues të tjerë të vendeve të rajonit.
Sipas Kurtit, diskutimet në këtë takim janë përqendruar te reformat që duhet të ndërmarrin vendet e Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i tyre në Tregun e Përbashkët të Bashkimit Evropian.
Kreu i Qeverisë ka pretenduar se Kosova, falë stabilitetit të plotë institucional, po i përmbush me ritëm të shpejtë zotimet që dalin nga Plani i Rritjes.
Ai ka përmendur gjithashtu pesë marrëveshjet e mobilitetit të Procesit të Berlinit, të cilat Kosova i ka ratifikuar, por ka theksuar se njohja e diplomave vazhdon të mbetet çështje e pazgjidhur.
“Njohja e diplomave ende është në pritje”, ka shkruar Kurti.
Sa i përket marrëveshjeve rajonale, kryeministri ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i përdorë fondet si mekanizëm nxitës për zbatimin e tyre. Sipas tij, vendet që zbatojnë më shumë marrëveshje duhet të përfitojnë edhe më shumë nga fondet evropiane.
Në fund të reagimit të tij, Kurti ka rikthyer kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai ka vlerësuar se ky proces nuk është vetëm i rëndësishëm, por tashmë është bërë urgjent në kuadër të dinamikës së re të zgjerimit të BE-së.
“Kosova e ka merituar këtë në bazë të meritave. Me dinamikën e re të zgjerimit, kjo tani është urgjente”, ka shkruar Kurti.
Megjithatë, Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si pasojë e mosrealizimit të reformave brenda afateve të përcaktuara. Këto mjete pritet t’u rishpërndahen Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:
Nga Brukseli në Tiranë: Dy ditë pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor, mora pjesë në Samitin e 6-të të Planit të Rritjes, të organizuar nga kryeministri Edi Rama, së bashku me komisioneren Kos dhe përfaqësues nga rajoni, ku u diskutua për reformat dhe integrimin tonë në Tregun e Përbashkët të BE-së.
Me stabilitet të plotë institucional, ne tashmë po i përmbushim me ritëm të plotë zotimet tona nga Plani i Rritjes.
Kosova i ka ratifikuar të pesë marrëveshjet e mobilitetit të Procesit të Berlinit, megjithatë njohja e diplomave ende mbetet në pritje.
Sa u përket marrëveshjeve rajonale, fondet e BE-së duhet të shërbejnë si nxitje: ata që zbatojnë më shumë marrëveshje duhet të përfitojnë në përputhje me këtë.
Kërkesa jonë për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim ka qenë gjithmonë e rëndësishme. Kosova e ka merituar këtë në bazë të meritave. Me dinamikën e re të zgjerimit, kjo tani është urgjente./lajmi.net/