Kryesia e Kuvendit mblidhet të martën, në rend dite interpelanca me Kurtin për suspendimin e dialogut strategjik Kosovë-SHBA
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës të martën, më 1 dhjetor 2026, duke filluar nga ora 13:00, në sallën C-301. Sipas njoftimit të Kuvendit, në këtë mbledhje do të shqyrtohet propozimi i rendit të ditës për seancën e ardhshme plenare, ku janë përfshirë gjithsej 19 pika, transmeton lajmi.net. Ndër çështjet…
Lajme
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës të martën, më 1 dhjetor 2026, duke filluar nga ora 13:00, në sallën C-301.
Sipas njoftimit të Kuvendit, në këtë mbledhje do të shqyrtohet propozimi i rendit të ditës për seancën e ardhshme plenare, ku janë përfshirë gjithsej 19 pika, transmeton lajmi.net.
Ndër çështjet kryesore që pritet të trajtohen në seancën plenare janë votimi i projektligjeve për ratifikimin e Konventës së Lubjanës-Hagës për bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen e krimeve ndërkombëtare, si dhe marrëveshjet me Francën për ekstradim dhe ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Po ashtu, në rend dite janë edhe dy marrëveshje kredie që lidhen me investimet në sektorin e shëndetësisë. Njëra ka të bëjë me përmirësimin e kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar, ndërsa tjetra me përmirësimin e pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës.
Një pjesë e rëndësishme e agjendës përfshin edhe reformën në sistemin e drejtësisë, përmes shqyrtimit të dytë të disa projektligjeve që ndërlidhen me rekrutimin, vlerësimin e performancës dhe integritetin e gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe funksionimin e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Deputetët pritet të shqyrtojnë edhe rikthimin për rishqyrtim të Ligjit për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, të kthyer nga Presidentja e vendit.
Në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe interpelanca me kryeministrin Albin Kurti lidhur me suspendimin e dialogut strategjik Kosovë-SHBA, përgjegjësinë politike të Qeverisë dhe atë që në kërkesë cilësohet si cenim i partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kuvendi pritet të shqyrtojë gjithashtu raportin financiar vjetor të buxhetit të Kosovës për vitin 2025, raportin për gjendjen e mjedisit në vend për të njëjtin vit, si dhe raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Në fillim të mbledhjes së Kryesisë do të bëhet miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar, ndërsa në fund do të shqyrtohen propozimet dhe kërkesat e paraqitura./lajmi.net/