Sekuestrohen 136 kilogramë marihuanë në Kaçanik, arrestohen tre persona – dyshohet për përfshirje edhe një polic
Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të Doganajt në Kaçanik, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar dhe janë sekuestruar 136 kilogramë marihuanë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka njoftuar se, përveç substancës narkotike, gjatë operacionit janë konfiskuar…
Lajme
Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të Doganajt në Kaçanik, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar dhe janë sekuestruar 136 kilogramë marihuanë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka njoftuar se, përveç substancës narkotike, gjatë operacionit janë konfiskuar edhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme, transmeton lajmi.net.
Sipas Sveçlës, gjatë aksionit njëra nga veturat e dyshuara ka tentuar t’i ikë Policisë, me ç’rast ka shkaktuar edhe aksidente trafiku. Për ndalimin e automjetit, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin armët e zjarrit.
Ndërkohë, ministri ka bërë të ditur se njëra nga veturat e përfshira në rast ngre dyshime për mundësinë e përfshirjes së një zyrtari policor në këtë veprimtari kriminale.
Për këtë çështje është angazhuar Inspektorati Policor i Kosovës, i cili do të hetojë dhe sqarojë rrethanat e rastit.
Sveçla ka deklaruar se nuk do të ketë tolerim për zyrtarët apo individët që rezultojnë të përfshirë në veprimtari kriminale.
“Besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës do ta ruajmë dhe forcojmë përmes angazhimit të vazhdueshëm duke pastruar nga radhët e saj çdo individ të lidhur me krimin”, ka shkruar ministri.
Ai ka theksuar se ndaj kujtdo që shkel ligjin do të ndërmerren masa, pavarësisht pozitës apo funksionit që mban./lajmi.net/