Rama akuzon Qeverinë për bllokada ndaj projekteve të Prishtinës: Tulltorja do të hapet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth projektit të “Tulltores”, duke e akuzuar Qeverinë për përdorim të mekanizmave institucionalë për të penguar projektet e Komunës së Prishtinës. Në një postim, Rama ka krahasuar situatën me rastin e dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe me…

Lajme

02/10/2026 11:35

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth projektit të “Tulltores”, duke e akuzuar Qeverinë për përdorim të mekanizmave institucionalë për të penguar projektet e Komunës së Prishtinës.

Në një postim, Rama ka krahasuar situatën me rastin e dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe me projektin e “Sunny Hill”, raporton lajmi.net

Sipas tij, më 24 nëntor 2022, Kuvendi i Kryeqytetit kishte miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim të një prone për Universitetin e Prishtinës. Rama pretendon se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte kërkuar anulimin e këtij vendimi, duke çuar çështjen edhe në procedurë gjyqësore.

Postimi i tij i plotë:

TULLTORJA – UNIVERSITETI E NJËJTA POLITIKË TENTATIVË PËR BLLOKADË!
Që kjo qeveri përdor mekanizmat institucionalë për t’i penguar projektet e Prishtinës, tashmë nuk përbën lajm. Rastet ndryshojnë, qasja mbetet e njëjtë.
Fillimisht, kundërshtuan dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Më 24 nëntor 2022, Kuvendi i Kryeqytetit miratoi vendimin për t’i dhënë Universitetit pronë në shfrytëzim, në mbështetje të institucionit tonë publik të arsimit të lartë, studentëve dhe zhvillimit akademik.
Universiteti kishte nevojë për hapësira, iu drejtua me kërkesë Kryeqytetit të vet dhe ne, natyrisht, ia siguruam. Merreni me mend: Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kërkoi anulimin e këtij vendimi. Pra, bashkëpunimi ndërmjet Kryeqytetit dhe Universitetit u përball me një proces gjyqësor të iniciuar nga pushteti qendror.
Më 3 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë, natyrisht, ia refuzoi në tërësi kërkesëpadinë Ministrisë si të pabazuar. Ky është fakt i dokumentuar në aktgjykim.
Më pas, njëjtë kundërshtuan dhënien e tokës për Sunny Hill. Sot, po të njëjtit mburren me suksesin që e kundërshtonin.
Tash, njëjtë po e kundërshtojnë Tulltoren.
Ta bëjmë një gjë të qartë, procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin. Ashtu si në rastin e Universitetit, do të dëshmohet edhe ligjshmëria e vendimit për Tulltoren. Ndërsa qëllimet tuaja do të demaskohen sërish para qytetarëve se si e përdorni pushtetin për të bllokuar çdo zhvillim.
JU VAZHDONI ME BLLOKADA. NE VAZHDOJMË ME PUNË. KUR TULLTORJA TË HAPET, JENI TË MIRËSEARDHUR TË MBURRENI EDHE ME TË, PËRVOJËN NGA SUNNY HILL TASHMË E KENI./Lajmi.net/