​Qytetarët drejt Prishtinës për të marrë pjesë në protestën e veteranëve

Qytetarë të shumtë nga komuna e Ferizajt kanë filluar të mblidhen për tu nisur në sheshet e Prishtinës për të protestuar për ish krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë. Sipas tyre, ish krerëve të UÇK-së po u bëhet padrejtësi, e po trajtohen në mënyrë “çnjerëzore”. Qytetari Sahit Thaçi tha se kjo protestë…

Lajme

07/08/2025 15:02

Qytetarë të shumtë nga komuna e Ferizajt kanë filluar të mblidhen për tu nisur në sheshet e Prishtinës për të protestuar për ish krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë.

Sipas tyre, ish krerëve të UÇK-së po u bëhet padrejtësi, e po trajtohen në mënyrë “çnjerëzore”.

Qytetari Sahit Thaçi tha se kjo protestë është dashur të mbahet më herët pasi që po shkelën vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thaçi: Janë duke bërë padrejtësi të mëdha vlerave të UÇK-së

“Kjo iniciativë është shumë e qëlluar, është dashur edhe më herët, po edhe tash më mirë vonë se hiç.. Janë duke bërë padrejtësi të mëdha vlerave të UÇK-së.. Ata po trajtohen në mënyrë çnjerëzore, po i marrin të dhënat kinse si dëshmi prej Serbisë, ne Serbinë e kemi pasur okupatorë, e dimë ne që ata kanë bërë gjenocid jo këta të lirisë që kanë çlirua vendin”, tha Thaçi.

Rrugës për t’u protestuar në Prishtinë është edhe Arfi Zuka, i cili tha se ish krerëve të UCK-së po i bëhen padrejtësi nga Specialja në Hagë.

“Shumë do të ketë ndikim të madh, pasi ata janë duke bërë padrejtësi”, theksoi ai.

Ndërkaq, qytetari tjetër, Besim Dumani, tha se protesta duhet të ketë ndikim të madh edhe në opinion publik por edhe në institucionet ndërkombëtare.

Ai shtoi se protestat duhet të vazhdojnë deri në lirimin e ish krerëve të UCK-së që po gjykohen në Hagë, pasi të njëjtit janë të pafajshëm.

“Mendoj se do të ketë ndikim të madh, përderisa populli është në përkrahje të krerëve të UCK-së. Do të ketë një ndikim në drejtësinë ndërkombëtare…Ne do të vazhdojmë deri në lirimin e tyre pasi besojmë në pafajësinë e tyre”, tha ai.

Edhe Sami Haliti shtoi se duhet të protestojë i gjithë populli për ta, sepse sipas tij janë të pafajshëm.

Ai tha se Gjykata Speciale duhet sa më parë t’i liroj ish krerët dhe të largohet një herë e përgjithmonë nga populli ynë.

“Jo vetëm veteranët e luftës, por e gjithë populli duhet të çohet në këmbë për këtë punë, sepse janë njerëz të pafajshëm.. Gjykata Speciale duhet njëherë e përgjithmonë të largohet nga Kosova dhe krerët tonë t’i kthejnë sa më shpejtë”, shtoi Haliti.

OVL-UÇK-ja dhe organizatat e tjera të dala nga lufta sot nga ora 17:00, do të protestojnë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar vijueshmërinë e procesit gjyqësor në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së.Gjatë protestës do të kërkohet reagim institucional lidhur me këtë proces.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020.

Ata ngarkohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon.

Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë.