Qeveria po i mashtron veteranët e UÇK’së

Deputeti Daut Haradinaj thotë se Qeveria është duke i mashtruar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kërkon urgjentisht nga Qeveria e Kosovës ta sjellë Projektligjin për Veteranët e UÇK’së para deputetëve.

Lajme

31/01/2014 08:25

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga AAK, Daut Haradinaj, ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për mostrajtimin meritor të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një intervistë për “Epoka e re”, Haradinaj ka thënë se është koha e fundit që Qeveria e Kosovës t’i kuptojë drejt shqetësimet dhe kërkesat e veteranëve të UÇK’së.

“Kjo Qeveri është duke i mashtruar veteranët për nxjerrjen e ligjit për ta”.

“Të enjten në Kuvend jam munduar t’u tregoj veteranëve të UÇK’së dhe kryetarit të komisionit qeveritar për këtë kategori, Agim Çekut, se Qeveria nuk e ka në plan Ligjin për Veteranët e UÇK’së. Qeveria në vija buxhetore as që nuk e ka parashikuar nxjerrjen e Ligjit për Veteranët”.

Deputeti Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht ta miratojë dh eta dërgojë në Kuvend Projektligjin për Veteranët e UÇK’së.

“Ajo çfarë jemi duke kërkuar ne është që Ligji për Veteranët e UÇK’së urgjentisht të vijë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të miratohet në mënyrë që kjo kategori e çmuar e shoqërisë të trajtohet nga shteti qoftë edhe simbolikisht”.

Ai ka vlerësuar se për t’i dhënë fund gjendjes së rëndë të veteranëve duhet të ekzistojë vullneti politik.

“Për të zgjidhur këtë çështje duhet të ketë vullnet politik brenda kabinetit qeveritar. Qeveria duhet ta sjellë në Kuvend Ligjin për Veteranët. Ju siguroj se asnjë deputet shqiptar i këtij Kuvendi nuk do të jetë kundër Ligjit për Veteranët e UÇK’së”.

“Jam i bindur se vota e deputetëve do të jetë për këtë ligj kurdo që ai vjen në Kuvend, por së pari duhet të kalojë në Qeveri sepse ka kosto të madhe buxhetore”, ka theksuar Haradinaj për “Epoka e re”.