Qeveria demanton Serbinë: Marrëdhëniet Kosovë – Francë, qëndrojnë të palëkundura

Presidenti francez, Emmanuel Macron do të vizitojë Serbinë brenda këtij muaji, ku do të diskutojë për dialogun Kosovë-Serbi.

Lajme

09/07/2019 13:27

Rreth kësaj vizite, gazeta serbe ‘Blic’, raportoi se Macron tani ka një qëndrim të ri, kundër Kosovës. Sipas tyre, deri këtu ka ardhur si pasojë e mosdëgjueshmërisë së kryeministrit, Ramush Haradinaj ndaj Francës dhe Gjermanisë për ta hequr taksën ndaj produkteve serbe.

Një gjë e tillë po mohohet nga ana e Qeverisë së Kosovës. Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë, ka thënë për lajmi.net se marrëdhëniet në mes shtetit tonë dhe Francës janë të palëkundura.

“Marrëdhëniet e Kosovës dhe Francës qëndrojnë të palëkundura dhe këto janë fakte, në bazë të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe jo deklarative. Si dëshmi rishtaz kemi edhe faktin që për një kohë të shkurtër Kryeministri Haradinaj ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme të Francës në Paris dhe Kryeministrin e Francës gjatë Samitit të Poznanit”, ka deklaruar Gashi.

Sipas saj, ky partneritet është afatgjatë, dhe Qeveria e vendit është e përkushtuar për t’i fuqizuar këto raporte me interes të ndërsjellë.

“Në takimet e fundit Kryeministri Haradinaj, ka kërkuar mbështetjen e palës franceze për liberalizim të vizave dhe ajo çka kemi marrë nga Franca si përgjigje është që ky vend nuk do ta pengoj këtë proces dhe gjithashtu e mbështetë Kosovën në proceset integruese”, ka përfunduar Gashi.

Macron do të udhëtojë për në Beograd më 15 të këtij muaji, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka konfirmuar se me homologun francez do të flas për zgjidhjen e çështjes shekullore me Kosovën.

Ndërsa sa i përket një vizite të mundshme në Kosovë, një gjë e tillë nuk është përmendur.

Vlen të theksohet se së fundi, Macron ka pasur një qëndrim negativ ndaj zgjerimit të BE-së, dhe për këtë çështje thuhet se do ia jap një mesazh të rëndësishëm presidentit serb. /Lajmi.net/