“Qeveri e 100 eurove” – Sa ka shpenzuar ekzekutivi i Kurtit për mbështetje sociale ndër vite?

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka ndarë dhjetëra milionë euro për masa dhe skema të ndryshme të mbështetjes sociale gjatë viteve 2024, 2025 dhe 2026. Sipas një grafike informuese të publikuar nga Radio Evropa e Lirë, fondet janë përdorur për mbështetje të studentëve, pensionistëve, lehonave, familjeve në nevojë, personave me aftësi…

Lajme

22/05/2026 22:13

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka ndarë dhjetëra milionë euro për masa dhe skema të ndryshme të mbështetjes sociale gjatë viteve 2024, 2025 dhe 2026.

Sipas një grafike informuese të publikuar nga Radio Evropa e Lirë, fondet janë përdorur për mbështetje të studentëve, pensionistëve, lehonave, familjeve në nevojë, personave me aftësi të kufizuara, si dhe për subvencionimin e teksteve shkollore dhe mbulimin e policave të sigurimit për diasporën, transmeton lajmi.net.

Të dhënat tregojnë se në mars 2026 janë ndarë 75 mijë euro për ndarjen e nga 100 euro për studentët në fillim të vitit akademik, si dhe 1.6 milion euro për mbështetje të studentëve që jetojnë larg vendit ku studiojnë. Ndërkohë, në dhjetor 2025 janë ndarë 1.65 milion euro për studentët që jetojnë larg vendit ku studiojnë, 110 mijë euro për pagesën prej 100 eurosh për studentët dhe mbi 537 mijë euro për mbulimin e policës së sigurimit për diasporën.

Në tetor 2025, qeveria ka ndarë 10 milionë euro për rritjen e skemës së shtesave për fëmijë, 237.6 mijë euro për rritjen e skemës për fëmijët me aftësi të kufizuara nga 120 në 150 euro, si dhe 1.800 euro për rritjen e pensionit invalidor të punës nga 120 në 150 euro. Po ashtu, janë ndarë 152.580 euro për rritjen e pensionit familjar, 1.29 milion euro për rritjen e pensioneve të aftësisë së kufizuar dhe 9.77 milion euro për rritjen e pensioneve bazike, të gjitha nga 120 në 150 euro.

Në të njëjtin muaj janë ndarë edhe 1.5 milion euro për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore, 1 milion euro për kuponë ushqimi për familjet në nevojë dhe 6 milionë euro për ndarjen e 100 eurove për studentët në fillim të vitit akademik.

Sipas të dhënave të publikuara, në qershor 2025 janë ndarë 4 milionë euro për mbulimin e policës së sigurimit për diasporën, 10 milionë euro për rritjen e pagesës së lehonave nga 170 euro në 325.9 euro dhe mbi 31.2 milionë euro për rritjen e koeficientit të pagave në sektorin publik nga korriku i vitit 2025.

Ndërkaq, në dhjetor 2024 janë ndarë afro 40 milionë euro për mbulimin e shtesave për fëmijë dhe lehona, ndërsa në gusht 2024 janë ndarë mbi 6.5 milionë euro për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore. Në mars 2024, sipas grafikës, janë ndarë edhe 273.6 mijë euro për kuponë ushqimi për familjet në nevojë.

Në fund të grafikës theksohet se në listë nuk janë përfshirë të gjitha shpenzimet sociale të Qeverisë, por vetëm ato që janë përmendur specifikisht në raportet financiare zyrtare./lajmi.net/