PZAP certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe dhe ka ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke certifikuar listën me 33 kandidatë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Në vendimin e tij, PZAP thekson se “ÇERTIFIKOHET lista e kandidatëve (33 kandidatë) të subjektit politik…

Lajme

13/12/2025 17:47

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe dhe ka ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke certifikuar listën me 33 kandidatë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Në vendimin e tij, PZAP thekson se “ÇERTIFIKOHET lista e kandidatëve (33 kandidatë) të subjektit politik Lista Serbe, për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, transmeton lajmi.net.

Paneli vlerësoi se Lista Serbe ka respektuar të gjitha afatet dhe procedurat ligjore, ndërsa Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ kishte dhënë rekomandim pozitiv për certifikim.

Sipas PZAP-së, “aplikimi për certifikim i kandidatëve është i kompletuar dhe të gjithë kandidatët plotësojnë kriteret e përshtatshmërisë që rrjedhin nga neni 30 i LZP-së”.

PZAP konstatoi se refuzimi i mëhershëm nga KQZ ishte i pabazuar ligjërisht dhe pa arsyetim të mjaftueshëm, duke theksuar se certifikimi i kandidatëve “nuk është çështje vullneti, por detyrim ligjor kur kushtet janë përmbushur”./lajmi.net/