Protestuesit paralajmërojnë tubim para Qeverisë në kohën kur Gërvalla dhe Sveçla mbajnë konferencë për rastin e Arlinda Zekajt

Protestuesit që po kërkojnë drejtësi për gratë e vrara dhe përgjegjësi institucionale kanë paralajmëruar një tubim të ri para objektit të Qeverisë së Kosovës, të premten në mëngjes. Ndryshe nga dy ditët e fundit, kur protestat nisën në orën 16:00, tubimi i së premtes është thirrur para orës 09:00, transmeton lajmi.net. Ky ndryshim vjen pas…

Lajme

29/10/2026 18:33

Protestuesit që po kërkojnë drejtësi për gratë e vrara dhe përgjegjësi institucionale kanë paralajmëruar një tubim të ri para objektit të Qeverisë së Kosovës, të premten në mëngjes.

Ndryshe nga dy ditët e fundit, kur protestat nisën në orën 16:00, tubimi i së premtes është thirrur para orës 09:00, transmeton lajmi.net.

Ky ndryshim vjen pas njoftimit se zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla Schwarz, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë një konferencë për media lidhur me rastin e Arlinda Zekajt.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se Zyra e Kryeministrit ka pranuar raportet nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme për këtë rast.

Ndërkohë, aktivistja Liridona Sijarina, duke folur në emër të protestuesve, ka kërkuar që konferenca e dy ministrave të mbahet jashtë objektit të Qeverisë.

“A po e vendosim që me ja lypë Qeverisë që konferencën me majt jashtë ose na hyjmë brenda. Nesër para 9-ve takohemi qitu, s’kemi me u dorëzu, s’kemi me u zmbraps pa i marrë përgjigjet definitive dhe pa i pa kërkesat tona të adresume”, u shpreh Sijarina para protestuesve.

Protestuesit po kërkojnë zbardhjen e përgjegjësive në rastin e Arlinda Zekajt, si dhe llogaridhënie nga institucionet për trajtimin e rastit./lajmi.net/